Eva Herzigova
Të gjithë e njohin Eva Herzigovën, modelen e famshme çeke. E veshur me një palë pantallona të shkurtra, xhaketë dhe një palë taka shumë të larta, bukuroshja çeke, nënë e një djali 3-vjeçar duket shumë e ëmbël e palyer. është 37 vjeçe, por tregon 10 më pak. Në këtë moshë dhe me 20 vjet karrierë mbi shpinë, zonja Herzigova është një grua, top modele dhe nënë e adhuruar me shumë kontrata miliona dollarëshe e një familje për t’u pasur zili.
Si i zgjedh një modele njerëzit me të cilët punon?
Me kalimin e viteve, kam mësuar t’i administroj, kupton vlerën nëse të sjell diçka në nivel profesional, artistik por edhe personal.
Po në fillim?
Në fillim janë agjencitë ato që të “administrojnë” tërësisht, shohin se çfarë lloj modeleje dhe se çfarë mund të shesësh. Dhe në fillim, më shisnin për një vajzë shumë seksuale. Në njëfarë pike, u lodha. Nuk jam kjo që doni të më tregoni, mendova. Kështu ndryshova agjenci. Por ka modele që nuk do të ndryshojnë kurrë.
Këtë vit keni zgjedhur të shfaqeni vetëm me minifund?
Fustani i gjatë më dukej shumë jashtë mode. Pastaj me këtë atmosferë krize nuk shkonte aspak. Do ta kisha ndier veten jashtë realitetit me një fustan shumë shik.
Sipas jush, deri në çfarë moshe mund të vishet një fustan i shkurtër?
Ndoshta deri në moshën 40-vjeçare. Por nëse nuk je në formë, më mirë ta shmangësh.
A ndryshon joshja me kalimin e viteve?
Në fillim e ke mendjen vetëm te forma fizike. Me kalimin e kohës, kur e njeh veten më mirë, ke dëshirë të “fusësh” në lojë edhe mënyrën tënde të të bërit të gjërave dhe të të menduarit. Mjafton një lëvizje, një veshje, një parfum dhe ndryshon krejt perceptimin për dikë
Për “Financial Times” keni treguar sekretet e të qenit në formë dhe në fund saktësonit se sa e rëndësishme është të ndiheni mirë me flokët e rregulluar...
Për mua është vërtet e rëndësishme. Kur jam në publik, nëse floku nuk është ashtu si do doja, më bën të ndihem në siklet.
Burri juaj jeton në Torino, ju në Londër. Ju pengon largësia?
Ai merret me investime në fushën imobiliare, udhëton në të gjithë botën dhe çdo fundjavë vjen në Londër. Pastaj Gregorio është duke ndërtuar karrierën e tij, ndërsa unë në moshën 37-vjeçare e kam ndërtuar karrierën time, madje mund të nis një tjetër.
Përse nuk martoheni?
E kam bërë një herë (me Tico Torres, bateristin e Bon Jovi-t) dhe ajo duhej të zgjaste për të gjithë jetën. Gabova, ndoshta tani kam frikë se duke e bërë sërish, do të ndryshojë diçka.
Kam lexuar se divorci me Tico Torres-in ishte shumë i lodhshëm...
Jo, shumë i qetë dhe i thjeshtë. Doja vetëm të nisja të bëja jetën që kisha para se ta njihja, pa asnjë avantazh, pa pretenduar asgjë. Nuk isha martuar për para me të, thjesht për dashuri. Jam shumë romantike.
E keni njohur Gregorio-n kur ai ishte student...
Po ishte shumë bukur. Shijoja një periudhë kohe që nuk e kisha përjetuar. Jam larguar në moshën 16-vjeçare nga çekia. I dashuri im i parë, eksperienca e parë e dashurisë ka qenë në Paris. Nuk mund të bëhen krahasime.
Në moshën 16-vjeçare keni bërë çmenduri?
Në atë moshë janë hormonet ato që të udhëheqin, por unë kisha disiplinë dhe vlera që i respektoja.
çfarë mendoni për vajzat që vijnë nga Lindja, të cilat lidhen me burra shumë më të mëdhenj në moshë se to?
Nuk janë vetëm lindore. Ka edhe shumë italiane dhe braziliane. Dikur një i moshuar me një vajzë të re të bënte më shumë përshtypje, tani kjo gjë duket normale.
Ju jeni pjesë e kësaj jete, sepse po ta shohësh ka një ndryshim shumë të madh. Ka nga ata që jetojnë mes festave dhe luksit, ndërsa të tjerë mezi ia dalin...
Unë nuk jam kështu. Jeta ime është krejtësisht ndryshe. Nuk kam jahte, avionë privatë, apo diamante. Kur përfundoj punën, bëhem vetvetja. Për mua, pasuria është diçka tjetër.
Po kur shkove në festën e datëlindjes së Naomit, ishte punë apo miqësi?
Vetëm miqësi.
çfarë i dhuruat?
Gjëra femrash, disa këmisha nate të “Sabbia Rosa”-s. Në vitet ‘90, në fillim të karrierave tona, i bënim gjithmonë dhurata të tilla njëra-tjetrës
Ju personalisht jeni prekur nga kriza?
Sigurisht në këtë kohë krize, askush nuk mund të shpëtojë.
Si ka qenë Eva e vogël?
Tek ne, gjithçka që ishte kreative, ishte e ndaluar. Vetëm me sport mund të merreshe. I kam bërë të gjitha: gjimnastikë, not, tenis, basket, ski, atletikë. Isha shumë e edukuar, ambicioze, lexoja shumë dhe pikturoja. Jam stërvitur që të mësoj duke dëgjuar gjërat.
Jeni akoma ambicioze?
Shumë.
Shpesh ambicia shihet si diçka negative. çfarë është për ju?
Të mos humbasësh mundësitë, unë nuk i humbas kurrë.
Keni dashuruar shumë në jetë?
Dashuroj shumë do të thoja. Dashuroj djalin tim dhe Gregorio-n.
Ju jeni një nënë shumë e fiksuar pas djalit?
Jo shumë. Më pëlqen t’i qëndroj afër, ta dëgjoj, ta mësoj. Djali im ka një sjellje prej të rrituri. është ai që vendos nëse do të përkëdhelet apo jo. E kam ushqyer me gji tre muajt e parë, edhe pse doktori më tha se do më ndryshonte gjoksi. Po unë mendoja se nuk mund të matet kurrë ndryshimi i trupit me kënaqësinë e ushqyerjes me gji të një fëmije. Kjo është një mënyrë për t’u ndier më pranë me njëri-tjetrin.
Po në Londër, çfarë jete bëni?
Nuk kam një axhendë fikse. Kam një dado që kujdeset për djalin, përveç fundjavave. Kam fatin që nuk kam orare të përcaktuara në punë. Edhe kur më duhet të nisem për punë, nuk qëndroj më shumë se tri ditë.
Ju nuk i keni përfunduar studimet...
Jo dhe më vjen keq për këtë. Shkolla i jep strukturë mendimit, të mëson t’i organizosh.
Keni frikë nga konfuzioni?
Pikërisht. Në këto vite më kanë ndodhur shumë gjëra dhe kam pasur mendime që tani dua t’i ndaj, t’i pastroj dhe qartësoj. Puna ka qenë si një shkollë për mua, por dua ta shfrytëzoj për t’u ndier e realizuar. E ndiej që më duhet të gjej një zanat të ri.
Si e shihni veten në të ardhmen? Dikur keni pasur një linjë tuajën?
Hoqa dorë kur lindi George. Lodhesha shumë dhe më duhej të bëja gjithçka vetë. Tani kam gjetur një grup francez “Etam” dhe dizajnoj linjën time. Më pëlqen, është një skuadër plot me profesionistë.
Ju modelet i keni veshjet falas?
Gjithçka që vesh e kam blerë vetë. Më pëlqen kombinimi. Shkoj shpesh tek “Zara” apo “H&M”. Pastaj kam fatin se mund të kërkoj të mbaj edhe ndonjë fustan, siç bëra me ata që vesha në Kanë.
Ju pëlqejnë bizhuteritë?
Po, por duhet të t’i dhurojë i dashuri apo të afërmit, sepse është një dhuratë shumë intime.
Jeni xheloze?
Jo, d.m.th jam, por preferoj të mos e mendoj. Nuk mendoj që burrat janë besnikë, por të përpiqen të mos na lëndojnë.