DANIMARKË – Një sulm kibernetik synon partitë politike në prag të zgjedhjeve

KOPENHAGË, 17 nëntor /ATSH-AFP/ – Në prag të zgjedhjeve bashkiake dhe rajonale në Danimarkë, faqet e internetit të disa partive politike ishin të paarritshme sot në mëngjes, viktima të një sulmi kibernetik të marre përsipër nga hakerat pro rusë.
“Agjencia daneze e mbrojtjes civile është në dijeni se disa faqe interneti të partive politike nuk ishin të disponueshme këtë mëngjes për shkak të sulmeve të shërbimit (DDos) “, shkroi agjencia në një deklaratë, duke treguar se po monitoronte situatën bashkë me inteligjencën ushtarake.
Faqet e internetit të Partisë Konservatore dhe Listës së Unitetit, ishin për pak kohë të paarritshme përpara se të bëheshin përsëri të disponueshme, vërejti AFP.
“The Copenhagen Post”, një gazetë online në gjuhën angleze që mbulon lajmet daneze, u prek gjithashtu.
“Inteligjenca ushtarake daneze na informoi se shkaku i mundshëm është një sulm DDoS, pasi mbulimi ynë i zgjedhjeve lokale të 18 nëntorit na bëri objektiv”, shkroi agjencia në Instagram.
Në mediat sociale, grupi i hakerave pro rusë “NoName057(16)” shkroi se po godiste faqet e internetit të disa partive politike daneze, si dhe atë të transmetuesit publik “DR”.
Javën e kaluar, i njëjti grup hakerësh mori përgjegjësinë për sulmet kibernetike kundër faqeve të internetit të disa bashkive daneze, institucioneve publike dhe një kompanie sigurimi.
“Ka të ngjarë që grupet e hakerave pro rusë do të nisin sulme DDoS kundër faqeve të internetit që lidhen me zgjedhjet”, shkruan shërbimet sekrete./ /Ad.Ab./