Evazioni te turizmi, Tatimet takim në Sarandë

Drejtoria e tatimeve
Strategjia e re e Tatimeve për përmbushjen vullnetare të detyrimeve nga ana e bizneseve po prezantohet nga administrata në një sërë takimesh me operatorët e turizmit. Pas takimit në Durrës, radha ka qenë e Sarandës. Në këtë takim morën pjesë 60 biznese që e zhvillojnë aktivitetin e tyre në sektorin e turizmit, të cilët janë shprehur të interesuar për të njohur më mirë detajet e strategjisë. Lidhur me ecurinë e sektorit ata kanë kërkuar një ndërgjegjësim më të madh të tatimpaguesve mes njëri-tjetrit për përmbushjen e detyrimeve në mënyrë vullnetare, çka i shërben tregut formal dhe rritjes së konkurrencës. Përfaqësuesit e Tatimeve kanë shprehur qëndrimin e tyre për të përkrahur e për tu shërbyer të gjithë atyre operatorëve që vetëdeklarojnë dhe përmbushin detyrimet e tyre sipas legjislacionit në fuqi. Nga ana tjetër, lidhur me abuzuesit dhe ata që kryejnë evazion fiskal, Tatimet janë shprehur të gatshëm të marrin të gjitha masat që parashikon legjislacioni shqiptar për këtë kategori shkeljesh. Takime të ngjashme informuese mes biznesit që operon në sektorin e turizmit dhe administratës do të ketë në të gjitha qytetet bregdetare në vend. Nisma e Tatimeve për të prezantuar strategjinë pranë bizneseve në kuadër edhe të luftës ndaj evazionit fiskal, vjen pas një sërë nismash dhe kontrollesh të tjera të rëndësishme që administrata ka kryer në disa sektorë si ndërtimi apo noterët.