Arkitektët, ekonomistët e farmacistët më të paguarit
Të diplomuarit e degëve Inxhinieri, Farmaci dhe Ekonomik paguhen më mirë në tregun e punës.Më të keqpaguar janë punonjësit që punojnë në sektorët e Shërbimeve, Menaxhimit, Hotelerisë dhe Medias. Rreth 61% e të diplomuarve punojnë në profesion dhe 39% e tyre punojnë jashtë profesionit. Të diplomuarit në degët e Arkitekturës, Ekonomisë dhe Farmacisë kanë më shumë sukses në gjetjen e një pune në profesion. Rreth 66% e të punësuarve janë të kënaqur me jetën e tyre profesionale dhe 34% e tyre janë të pakënaqur. Shqiptarët nuk kanë shumë besim te kompanitë private të punësimit, pasi vetëm 6.7% e të intervistuarve u janë drejtuar atyre për të kërkuar punë. Vetëm 1.3 % e punëkërkuesve aplikojnë në zyrën shtetërore të punësimit, tha drejtuesi ekzekutiv i kompanisë The HeadHunter, Elton Ilirjani, kompania që realizoi studimin bashkë me Institutin Eunacal dhe njoftime.com. Këto janë vetëm disa nga të dhënat në lidhje me tregun e punës në Shqipëri. I realizuar nga data 30 prill-5 maj, pjesë e tij u bënë 1,705 persona në të gjithë vendin. Sipas të dhënave, rezulton se të diplomuarit në degët Turizëm, Mjekësi dhe Juridik janë ata që ndihen më të pakënaqur me jetën e tyre profesionale. Rreth 44% e të punësuarve me arsim të lartë kanë një pagë mujore bruto 20,000-49,000 lekë. Në vitin 2011, rreth 85% e të diplomuarve u është dashur më pak se 6 muaj për të siguruar një vend pune. Kompania më e preferuar e shqiptarëve për të punuar është Vodafone Albania. Kompania Mane TCI është renditur e 1-ra në rang kombëtar me 75% bashkë me BKT dhe Alpha Bank për vlerësimin e pagës vetjake të punonjësve të krahasuar me punonjësit e tjerë të kompanisë. Kompania Neptun është vlerësuar nga 23% e të intervistuarve duke u renditur e dyta pas kompanisë Vodafone në rang kombëtar për ruajtjen e konfidencialitetit të pagave të punonjësve. Kompanitë Mane TCI, ACREM, AMC dhe Albtelecom renditen si 4 kompanitë, punonjësit e të cilave i vlerësojnë pagat e tyre pak a shumë të njëjta me të kolegëve. Punonjësit e kompanive Balfin (100%), Plus (83%) dhe Mane TCI (78%) vlerësojnë se kanë pagë njësoj ose më të lartë se punonjësit e kompanive të tjera. Duhet të investohet më shumë në punësimin e të rinjve të sapodiplomuar, tha drejtuesi ekzekutiv i kompanisë The HeadHunter. Ai shprehu besimin e plotë që këto projekte të reja do të sjellin shumë mundësi punësimi për këta të rinj, që ende nuk kanë mundur të gjejnë një punë të përshtatshme.
Gjetjet e sondazhit
Arkitektura, Ekonomiku dhe Farmacia janë diplomat që sigurojnë më shumë punësim
61% e të diplomuarve punojnë në profesion
39% e të diplomuarve punojnë jashtë profesionit
66% e të punësuarve janë të kënaqur me jetën profesionale
34% e të punësuarve janë të pakënaqur me jetën profesionale
Të diplomuarit në degët Turizëm, Mjekësi dhe Juridik të pakënaqur me jetën profesionale.
44% e të punësuarve me arsim të lartë paguhen 20,000-49,000 lekë.
Më të mirëpaguarit janë të diplomuarit e degëve Inxhinieri, Farmaci dhe Ekonomik
Më të keqpaguar janë punonjësit që punojnë në sektorët Shërbime, Menaxhim, Hoteleri dhe Media.
85% e të diplomuarve gjejnë punë në më pak se 6 muaj
Kompanitë Mane TCI, ACREM, AMC dhe Albtelecom renditen si 4 kompanitë, punonjësit e të cilave i vlerësojnë pagat e tyre pak a shumë të njëjta me të kolegëve.
Punonjësit e kompanive Balfin (100%), Plus (83%) dhe Mane TCI (78%) vlerësojnë se kanë pagë njësoj ose më të lartë se punonjësit e kompanive të tjera.
Berisha: Punimet e studentëve të kenë në fokus mjedisin

Berisha, dje gjatë inaugurimit të godinës
Mbështetje për idetë e studentëve. Por projektet dhe idetë e tyre duhet të kenë në fokus sa më shumë mjedisin. Këtu e vuri theksin Kryeministri i vendit, Sali Berisha, gjatë inaugurimit të godinës së re të këtij fakulteti. Investimi prej 185 milionë lekësh nga buxheti i shtetit ka mundësuar pajisjen me kushte dhe mjedise të reja mësimore, laboratorike, salla kompjuteri e shumë ambiente të nevojshme për punën krijuese të studentëve të këtij fakulteti. Godina e fakultetit të Inxhinierisë ka një sipërfaqe 5160 m2, ku studiojnë 4123 studentë. Në këtë fakultet përgatiten inxhinierët, specialistët, ekspertët më të mirë të kësaj fushe. Në këtë fakultet përgatiten studiuesit, shkencëtarët, specialistët e mjedisit. Ndërkohë që çështjet e mjedisit janë çështje themelore të jetës e veprimtarisë së qytetarëve shqiptarë. Fakulteti juaj ka një mision shumë të madh në zhvillimin e Shqipërisë. Për njeriun, për qytetarin, nuk ka asgjë më të rëndësishme se mjedisi ku jeton, hapësirat që ne i garantojmë atij, kushtet, gjëra këto që ju i njihni shumë mirë, tha Berisha. Këto deklarata ai i bëri gjatë vizitës në ekspozitën e përgatitur nga ky fakultet, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, me punime shume cilësore dhe të pasura me ide, të studentëve dhe pedagogëve mbi vizionin e tyre për Tiranën, në kuadër të planit rregullues të kryeqytetit
ZIRINA LLAMBRO