E Diel, 1 Nëntor 2026

Dobi: Një festival folklorik për Vlorën turistike

Traditë, argëtim dhe një prezantim i Vlorës turistike, këtë synon Festivali Folklorik Mesdhetar në edicionin e pestë që do të mbahet nga data 1-5 gusht. Katërmbëdhjetë grupe folklorike të Shqipërisë, Kosova, Bosnja e Bullgaria, Kroacia, Mali i Zi, Italia, Turqia, Greqia, Maqedonia, do të interpretojnë në tri sheshe publike të qytetit bregdetar. Drejtori i festivalit, Istref Dobi, tregon për risitë e këtij viti dhe synimet në të ardhmen të këtij aktiviteti.

Festivali Folklorik Mesdhetar në Vlorë arrin në edicionin e pestë. Çfarë dëshmon kjo për këtë festival?

Më vjen mirë që festivali nga edicioni në edicion është rritur dhe sot ka në përbërje të tij 14 grupe nga pellgu i Mesdheut, grupe nga më të mirat. Rreth 7 grupe janë folklorike, që vijnë nga kryeqytet respektive. Kjo arritje do të thotë se Qendra Kulturore e Vlorës, si organizatore, Bashkia Vlorë, si mbështetëse financiare e morale e këtij aktiviteti të madh, por edhe stafi organizativ i këtij festivali, arritën ta çojnë këtë festival në edicionin e pestë të tij me shumë sukses. Ideja për realizimin e këtij festivali ka lindur shumë kohë më parë, atëherë kur pas viteve ‘90, me ansamblin tonë "Labëria" merrnim pjesë në festivale të tjera. Dëshironim që një ditë një aktivitet të tillë ta realizonim në Vlorë. Kjo ëndërr u bë e mundur për herë të parë në shtator të 2005-ës dhe për herë të parë në Vlorë erdhën në një festival të thjeshtë për tri ditë grupe nga Spanja, Greqia, Turqia, Mali i Zi, por edhe grupe nga Shqipëria, Maqedonia e Kosova. Sot duhet thënë se festivali ynë, me strukturën organizative, është i krahasueshëm me festivale folklorike që realizohen në vende të tjera të botës.

Cilat janë risitë e edicionit të sivjetshëm?

Struktura e festivalit nuk ka ndryshuar krahasuar me vitet e shkuara, por i kemi mëshuar cilësisë së grupeve pjesëmarrëse.

Këtë vit është rritur numri i grupeve pjesëmarrëse nga 10 në 14 dhe po ashtu edhe gjeografia e shteteve pjesëmarrëse. Për herë të parë do të marrin pjesë grupe nga Bosnja e Bullgaria (vende jo mesdhetare), si dhe Kroacia, por edhe shtete që kanë qenë në festivalet e kaluara, si Mali i Zi, Italia, Turqia, Greqia, Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria. Disa prej këtyre shteteve do të paraqiten me dy grupe. Por sivjet nuk do të kemi grupe folklorike nga Izraeli, Egjipti etj. Ashtu si vitet e shkuara, do të ketë tri sheshe koncertore, në të cilat do të mbahen njëkohësisht koncerte nga grupe të ndryshme, që do të lëvizin nga sheshi në shesh në çdo ditë. Nisur edhe nga përvoja e viteve të kaluara është menduar që çdo element i festivalit, që nga skenari, regjia, infrastruktura artistike, fonia, ndriçimi, podiumet e deri tek akomodimi, të jenë në perfeksion.

Cili është synimi i këtij aktiviteti?

Synimi i këtij festivali është promovimi i resurseve turistike të Vlorës, argëtimit të qytetarëve vlonjatë, por sidomos atyre të huajve, të cilët zgjedhin Vlorën për të kaluar këto ditë të nxehta gushti. Por nuk duhet harruar se edhe grupet folklorike që marrin pjesë në këtë festival, janë përcjellës në vendet respektive të imazhit të një Vlore turistike.

A mendoni se në të ardhmen do ta zgjeroni gamën e këtij festivali?

Ne kemi përzgjedhur këtë përcaktim për festivalin tonë dhe pikërisht për këtë është ngritur edhe shoqata artistiko-kulturore "Alb-Meditarraneo". Ishte ideja e disa intelektualëve tanë ta quajmë Vlorën qytet mesdhetar, jo vetëm Ballkanik dhe në këtë mënyrë të jemi pjesë e saj në të gjithë jetën mesdhetare. Të paktën edhe në disa vite të mëpasshme ky festival do të vazhdojë me këtë strukturim, pra me tri sheshe koncertore vetëm nga pellgu i Mesdheut.

Në këtë festival nuk ndahen çmime, pse nuk është parë e nevojshme kjo?

Është një vendim i marrë herët, pasi për mendimin tonë nuk ka juri profesioniste që të mund të bëjë dallimin mes valleve të larmishme që ngjiten në këto skena. Ato sjellin secila traditën e vendit prej nga vijnë e në këtë pikëpamje janë të veçanta. Këtë ide kam edhe për festivalin e Gjirokastrës dhe do të këmbëngul që edhe në Gjirokastër mos të ketë çmime, si pasojë e të cilave rrjedhin keqkuptime e mërira, siç ndodhi para 5 vjetësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›