E Diel, 1 Nëntor 2026

Evropa ime

Kam qenë shumë shumë e vogël, ndoshta dy-tri vjeç, teksa në xhamat e dritareve në dhomë tonë të vetme të banimit në qytetit "Studenti", përplaseshin britmat "Europë- Europë", "E duam Shqipërinë si Evropa". Ishte një ritual pothuajse i përditshëm. Europa kërkohej nga studentë, nga pedagogë, nga punëtorë, nga intelektualë, nga minatorë, nga katundarë, nga të rinj, nga gra dhe vajza, të gjitha shtresat e popullsisë thirrnin në kor dhe në shestimin tim fëmijënor, kjo fjalë më turbullonte së brendshmi. Përse e kërkojnë kaq me ngulm? Ǒtë jetë vallë kjo Europa? Ku gjendet? Sa e madhe apo e vogël është?

Dhe pavarësisht se pyesja, asnjëherë nuk merrja një përgjigje të plotë. Herë Europa më dukej si një lodër, si një send i ndritshëm që askush nga prindërit tanë nuk ishte në gjendje ta siguronte. Diku - diku më dukej si një planet tjetër ku duhej shumë mund e djersë për të mbërritur dhe herë më ngjante se koka kuçedrash mbikqyrnin këtë nifmë të bukur që s‘mund të ishte kurrsesi në tokë.

Kohë më pas kur fillova të shkoja në cikle të ndryshme të shkollës, Evropa më qartësohej si diçka më konkrete, një grumbull shtetesh që ndanin shumë gjëra së bashku. Ajo fillonte shumë afër nesh nga Greqia ose nga Italia e pastaj vijonte me shtete të tjerë, disa më të vegjël dhe disa më të mëdhenj, por njësoj të barabartë në standarte dhe vlera. Edhe paraja është e përbashkët. Që nga janari i vitit 2002, Belgjika, Gjermania, Greqia, Spanja, Franca, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Austria, Portugalia dhe Finlanda blejnë dhe shesin vetëm me euro.

Mësuesit tanë na thoshnin se në Europë ka paqe, ka demokraci, ka qytetërim të kahershëm dhe të ri, ajo lakmohej brenda vetvetes dhe nga të tjerë, por sërish për ne mbetej diçka e huaj dhe e mosarritshme.

Teksa mësoja anglisht, frëngjisht dhe italisht, më dukej sikur kisha hedhur vetë hapin e parë në kontinent. Bashkëmoshatarët e mi mësonin të tjera gjuhë europiane dhe, si unë, edhe ata bëheshin nga pak europianë.

Shqipëria kishte lënë pas sistemin diktatorial që më shumë se çdo gjë urrente Evropën dhe kishte instaluar një sisem demokratik, por sërish shqiptarët mësynin kontinetin e vjetër si të mundnin: ilegalë dhe legalë, me viza dhe pa viza, nga deti, nga toka, nga ajri. Valë refugjatësh u derdhën në shtetet perëndimore; më shumë në Greqi, Itali, Gjermani, Francë dhe Angli, por edhe në Holandë, Belgjikë, Suedi, Finlandë, Portugali, Austri, Irlandë e Danimarkë.

Po krijohej një realitet tjetër. Dikur prindërit tanë shihnin një copëz Europe me antenat e sajuara për kapjen e sinjaleve televizive italiane, greke e sllave, ndërsa tashmë nuk ua ndalonte kush që të iknin nga dheu i tyre dhe të vendoseshin në Bon, Romë, Paris, Londër, në të gjithë qendrat dhe kryeqendrat europiane.

Dhe pikërisht këta ishin lajmësit e parë të kontinentit tonë, ishin gjithashtu edhe ambasadorët më të mirë që "erën europiane" e shpërndanin vullnetarisht ditë për ditë, orë për orë dhe më një këmbëngulje të parreshtur. Në çdo dërgesë të emigrantëve shqiptarë do të vinte një flamur gjerman, një revistë franceze, një karafil holandez, një kartolinë belge, një slitë finlandeze, një statujë britanike…

Por jo vetëm ata e duan dhe sillen si europianë. Në klasën time shpesh bëjmë sonadazhe shoqërore: "Kush e dëshiron Europën" dhe nuk ngrihet asnjë votë kundër. Ndoshta në vendin tim mund të numërohen me gishta kundëreuropianët dhe kundëratlantistët; Europa atlantike është në gjithçka e në çdo gjë. Nuk ka edhe një shqiptar të vetëm, qoftë edhe i pashkolluar, që të ketë shkuar diku në Azi apo në Afrikë, të gjithë në Europë dhe në SHBA.

Por po aq sa afër është Evropa për shqiptarët e thjeshtë, aq më të largët e kanë bërë politikanët tanë që, përpos pushtetit dhe këmbimit të maxhorancave disa herë në mënyrë të dhunshme, nuk kanë dashur as zgjedhje të ndershmë, as institucione të konsoliduara, as pushtet gjyqësor të pavarur dhe asnjë nga shtyllat e tjera që mbajnë në këmbë një demokraci.

Edhe nën sistemin totalitar, shqiptarët e guximshëm që arratiseshin përmes telave me gjëmba në Tropojë, Kukës, Peshkopi, Kolonjë, Përmet, Gjirokastër, në të gjitha rrethet skajore, mbërrinin sërish në Europë. Një pjesë prej tyre nuk arrinin t‘i shpëtonin plumbave të rojeve kufitare duke u bërë kështu martirët e parë të një lidhjeje mes Tiranës dhe Brukselit.

Po a është Shqipëria në Europë? Sigurisht që po. Që nga koha që s‘mbahet mend. Ajo kaq qenë aty, herë e strukur dhe e papërfillur, herë në radhët e para dhe në mbrojtje të saj. Dy perandori e larguan përkohësisht nga gjeneza e natyrshme: perandoria osmane dhe ajo komuniste, por nuk mundën ta izolonin përjetësisht. Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ishte para së gjithash një mit evropian; Budi, Bardhi, Bogdani të letërsisë së hershme shqipe, i botonin veprat e tyre shqip dhe latinisht në kryeqendrat kulturore evropiane; më 1908 rilindasit tanë shpallën si zyrtar një alfabet latin duke dhënë një dëshmi të evropianizmit shqiptar.

Një kumt i brendshëm, një lloj limfe, kumti europian ka shtegtuar kohë pas kohe e brezni pas breznie, për t‘u mos u zhbërë as nga varfëritë dhe as armiqësitë disa qindravjeçare. Ky kumt shpesh ka sjellë pajtim edhe në politikën shqiptare.

Në këtë klimë janë bërë vit pas viti rreth 21 marrëveshje me Bashkimin Europian, marrëveshje këto që janë fiksuar në kujtesën tonë. Pa i përmendur të gjitha mjafton të risjellim disa prej tyre. Më 1992 Tirana zyrtare nënshkruan me Brukselin për tregtinë dhe bashkëpunimin duke marrë fonde nga programi PHARE; më 1997 saksionohet bashkëpunimi rajonal; më shtator 1999 nis një proces i ri i Stabilizim-Asociimit dhe fillon studimi i zbatueshmërisë për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA); dy muaj më vonë miratohet ky studim; po në 1999 Shqipëria përfiton nga preferencat e tregtisë autonome; në vitin 2000 produktet shqiptare hyjnë pa doganë në tregun europian; në 2001-in nis programi CARDS; në janar 2003 bëhet çelja zyrtare e negociatave për MSA-në dhe një muaj më pas nis raundi i parë i këtyre negociatave; në maj 2003 kemi një tjetër raund për Marrëveshjen e Ripranimit.

Por Evropën nuk e donim vetëm ne. Të tjerë para nesh, dhe sidomos politikanët e tyre, kërkonin dhe punonin për të qenë pjesë e saj. Polonia, Çekia, Hungaria, Sllovenia, Sllovakia, Lituania, Letonia, Estonia e Qiproja u bënë evropianë dhe, pak pas tyre, edhe Rumania e Bullgaria. Jo pak por 500 milionë njerëz kanë tashmë një ngrehinë të përbashkët në Bruksel; të tjerë bashkë me shqiptarët do i shtohen në vitet e mëpasme.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›