E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet presidenciale në Tajvan, fiton kandidati pro-Kinës

Kandidati i opozitës në zgjedhjet presidenciale në Tajvan ka fituar pastër duke dhënë shpresë për një qetësim të marrëdhënieve të Pekinit me ishullin. Rezultati zyrtar e ka renditur Ma Ying -Jeou të Partisë së Kuomintangut me 17 pikë në avantazh ndaj kundërshtarit të tij, Frank Hsieh, të Partisë Progresive Demokratike, e cila ka aktualisht qeverisjen e vendit. Të dy kandidatët, gjatë fushatës elektorale kishin mbrojtur linjën e çuarjes papara të marrëdhënieve ekonomike me Kinën, duke ndryshuar nga njëri-tjetri për sa i përket shkallës dhe ritmit të këtyre marrëdhënieve. Fituesi i zgjedhjeve ishte shumë më i gatshëm për një afrim me Kinën, më shumë se kundërshtari i tij në pushtet, pozicioni i të cilit ishte shumë më i matur dhe i kujdesshëm. Ai do të pasojë nacionalistin që deri tani ka qenë një nga personat më të flaktë për pavarësinë e ishullit nga Kina. Ai do të zëvendësohet në muajin maj. Fitoren deri diku të pritshme e priste një turmë e madhe njerëzish para godinës së partisë së Kuomintangut. Shkaku i gjithë këtij entuziazmi është fakti se njerëzit në Tajvan, të mësuar me qetësi dhe mirëqenie duan që ajo të vazhdojë. Për ta nuk është shumë e rëndësishme nëse ishulli shkon me Kinën apo mbetet pa të. E rëndësishme është jetesa e mirë. Presidenti, i cili do të lërë detyrën e tij në maj më shumë se njëherë është konfrontuar me Pekinin, duke e çuar situatën shpesh në prag të luftës pikërisht për të mbrojtur tezën e tij të një ishulli me më shumë pavarësi nga Kina. Por një situatë e tillë që është parë me shqetësim edhe në Perëndim, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është pritur mirë nga vetë banorët e ishullit. Një nga arsyet që ata i dhanë votën kandidatit të opozitës është edhe garancia që morën prej tij se lidhjet me Kinën do të qetësohen dhe do të thellohen në aspektin ekonomik. Nga ana tjetër mbështetësit e Presidentit në ikje janë trishtuar shumë, por ky i fundit u ka premtuar se përpjekjet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen për një ishull të lirë e të pavarur nga ndikimi i Kinës. Tajvanezët kanë një ekonomi shumë të mirë dhe gëzojnë një jetesë me një standard të lartë dhe kjo i ka bërë që të jenë shumë skeptikë ndaj çdo propozimi që do t‘u sillte çrregullime. Tajvanezët votojnë për atë që i sjell siguri dhe një perspektivë për një ekonomi të mirë. Presidenti i ri ka vendosur standarde ambicioze për marrëdhëniet me Kinën për sa i takon aspektit ekonomik. Për sa i takon Kinës, ajo ndihet disi e lehtësuar nga zgjedhja e një njeriu pro Pekinit, sidomos në një moment të tillë kur situata në Tibet është e rënduar. Ajo gjithmonë ka deklaruar se Tajvani është pjesë e saj pavarësisht se të dyja vendet jetojnë të ndara që nga viti 1949. Madje, Kina asnjëherë nuk e ka përjashtuar faktin e një ndërhyrjeje të armatosur në rast se ambicia e Tajvanit do të ishte konkretizuar edhe ushtarakisht.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›