E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matthew McConaughey, ose Big Mat

"Asnjëherë nuk kam qenë në kërkim të famës, por ajo erdhi dhe në këtë moment nuk mund t‘i thosha jo", rrëfen bukuroshi hollivudian. Nga të ritë mban mend momentin kur la shkollën për hir të të shijuarit të jetës dhe marrëdhënien dashuri-urrejtje të cilën e ka edhe tani me personat shumë të famshëm e të rëndësishëm. Pastaj sigurisht që i kujtohet edhe filmi i 12 viteve më parë kur doli në ekran, "Kohë për të vrarë". Sot gjërat kanë ndryshuar shumë për të dhe jo vetëm për sa i përket famës, por mbi të gjitha parave. Nuk ulet të lexojë skenarë të cilët i japin një fitim më të vogël se 8 milionë dollarë dhe sigurisht ka fat edhe te partneret, pasi së fundmi ka luajtur me femrat më të bukura e të lakmuara të Hollivudit, duke filluar nga Sandra Bullok e duke përfunduar me Penelope Cruz e Ashley Judd. "Për hir të së vërtetës, fama ma bëri jetën interesante për disa vjet. Interesante dhe me ngjyra. Në ditët e mia hynë gjërat që dikur as që i kisha ëndërruar, duke filluar nga femrat e bukura, makinat, shtëpitë, veshjet e pushimet e shtrenjta. Por më pas e ekzagjerova pak me drogë dhe me nja-dy arrestime për dhënie të makinës i dehur", rrëfen aktori. Ai është i kënaqur me mënyrën se si i kanë shkuar punët dhe është i lumtur që luan personazhe që deri diku i shkojnë për shtat. Kryesisht ka luajtur role të lehta dhe në filma gjysmë komedi. I tillë është edhe roli në filmin e fundit "Ari i rremë", i cili e vendos në pozicionin e një gjuetari thesaresh të kohëve moderne. Në këtë film ka luajtur së bashku me Kate Hundson dhe xhirimet janë bërë në bregun jugor të Australisë. "Ishte një vend i mrekullueshëm dhe me thënë të drejtën më shumë shijova detin dhe rërën, sesa filmin. Ishte një aventurë në të gjitha kuptimet, pasi nuk të duhej që të qëndroje gjithë ditën në një hotel me 5 yje e të mërziteshe duke pirë koktej të shtrenjtë. Përkundrazi kemi kryer zhytje nën ujë, u jemi ngjitur kodrave përreth e jemi futur edhe në shpella për të sjellë një film që me të vërtetë do t‘i bëjë spektatorët që të përjetojnë momente shumë interesante. Ka pasur situata të rrezikshme kur dukej se fati ynë ishte në dorën e nënës natyrë dhe të askujt tjetër. Një i tillë ishte momenti kur jemi ndeshur me peshkaqenët në oqean. Për fat të mirë ata ishin të mirëushqyer", rrëfen aktori me të njëjtin pasion me të cilin edhe aktron. Ai është shquar gjithmonë për një pamje prej djaloshi në moshë të hershme, gjithnjë entuziast dhe i pasionuar pas gjërave të reja dhe pas aventurave të bukura njëherazi. Ai preferon shumë natyrën, ambientet e hapura, stërvitjen. Është kjo një dëshirë dhe një prirje që e ka pasur që në fëmijëri. Në familjen e tij kanë qenë tre djem, ai si më i madh organizonte vazhdimisht udhëtime të vogla rreth shtëpisë ku i pëlqente të eksploronte natyrën dhe të imagjinonte se ndodhej në një xhungël të madhe, në Amazonë. Fillimisht, sipas traditës familjare e duke qenë një teksan iu ofrua mundësia e vazhdimit të karrierës në industrinë e naftës, por një gjë e tillë atij nuk i pëlqeu, pasi synimi i vetëm dhe ëndrra ishte kinemaja. Ishte ende i ri kur vendosi që të përdorte pamjen e tij tërheqëse për të bërë përpara në botën e kinematografisë. Kështu nisi një shkallë aktrimi në Austin të Teksasit, pasi i la të gjitha studimet e tjera në gjysmë të rrugës. Ndërsa ishte në shkollë i erdhën ofertat e para në role të vogla, në të cilat ai luajti, por pa u vënë re nga publiku. Për shumë kohë ishte një askush në botën magjike, por plot prapaskena, të cilat ai donte t‘i sundonte. Megjithatë, i pajisur me durim priti momentin. Një i tillë i mirë ishte filmi "Si të humbasësh një djalë në 10 ditë", i cili në njëfarë mënyre e lançoi në sërën e aktorëve, ndaj të cilëve regjisorët e famshëm nisën të kishin një lloj vëmendjeje. Më pas erdhi filmi "Saharaja". Pas sukseseve të para, të cilat i dhanë edhe të ardhura të mjaftueshme për të bërë jetën që kishte ëndërruar, Matthew në vend që të vendosej si të gjithë aktorët e sërës së tij në vilat e pasura në Beverly Hills, vendosi që të kalonte ditët kur nuk ishte në punë në një shtëpi të këndshme në Peru. Por nuk qëndron për shumë kohë në këtë vend, sepse tërheqja që ka ndaj vendeve ekzotike e çon nga Afrika në Australi dhe nga Amerika e Jugut në Polin e Veriut. McConaughey, veç sukseseve rendit edhe dështime.

I tillë është rasti i humbjes së rolit kryesor në një nga filmat më të suksesshëm në historinë e Holivudit "Titaniku", rol i cili u mor nga Leonardo Di Caprio. "E vuajta shumë një humbje të tillë, edhe pse kisha fillimisht shumë më tepër shanse se Di Caprio për ta fituar. Kjo humbje më bëri që të ndieja një lloj zhgënjimi nga Hollivudi dhe të mendoja se ai është një vend i cili përbëhet vetëm nga persona ngatërrestare dhe hipokritë, por tani kam ndryshuar mendim. Ai është një vend me njerëz kreativë dhe interesantë. Është një vend i këndshëm të punosh kur je në majë të gjërave, por shumë i vështirë kur nuk je askush". Por gjithsesi aktrimi vjen i dyti në jetën e McConaughey. Pasioni i parë është natyra dhe eksplorimi i saj. Motoja e jetës së tij është "Jeto sa të mundësh më shumë". Veç aktrimit ai do të debutojë edhe si producent në fund të vitit të ardhshëm me një film i gjithi i financuar prej tij. Së shpejti pasioneve do t‘i shtohet edhe një tjetër. Ai pret të bëhet baba dhe në moshën 38-vjeçare befas e ndien se ka ardhur koha kur i duhet të bëhet i përgjegjshëm edhe për jetë që nuk janë më e tija. Pas imazhit publik që ka si një djalë me muskuj e i rrahur nga dallgët e dielli, ai fsheh një person shumë të ndjeshëm. "Dikur jam lënduar shumë dhe nuk më pëlqen që të kaloj disa kufij si shpirtërorë ashtu edhe fizikë, ndaj kjo më bën disi të tërhequr e të dukem si një djalë që nuk e çan kokën. Por ndoshta me ardhjen e fëmijës gjërat do të ndryshojnë dhe më në fund do të njoh dikë që t‘i fal dashuri pa frikë zhgënjimi.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›