E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evropa, milionat që marrin klubet shqiptare nga UEFA

NION- Ka një arsye përse klubet shqiptare kanë më shumë merak pjesëmarrjen në Evropë sesa fitimin e trofeve. Një gjë e tillë lidhet me paratë e dhëna nga UEFA, të cilat nga viti në vit rriten në një mënyrë thuajse të pabesueshme. Kështu, Skënderbeu këtë vit do të marrë 330 mijë euro pa luajtur asnjë ndeshje, si skuadra kampione e vendit. "200 mijë euro janë për fitimin e kampionatit, ndërsa 130 mijë për pjesëmarrjen në Champions, - sqaron shefi i raporteve me UEFA-n në FSHF, Elton Gjipali. - Në rast kalimi të turit, Skënderbeu do të përfitojë 130 mijë euro të tjera dhe një gjë e tillë vazhdon deri në fazën në grupe, ku shpërblimet e UEFA-s janë në tarifa të tjera", thotë më tej ai. Një gjë e tillë do të thotë se klubi korçar ka hequr që tani gjysmën e shpenzimeve të vitit nga pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve, ndërkohë që në rast kalimi të turit ndaj qipriotëve të Apoel Nikozias, shifra e përfituar prej tyre do të jetë vërtet e "majme" për një klub të Superligës shqiptare. Gjithsesi, përballë korçarëve do të jetë një ekip me shumë eksperiencë në kompeticione të tilla, pasi Apoeli dy vjet më parë luante në një grup me Çelsin e Ançelotit.
EUROPA LEAGUE
Ndryshe qëndron puna në Europa League, ku nga Shqipëria marrin pjesë tre skuadra. Tirana, si fituese e Kupës, luan në turin e dytë, por kjo nuk do të thotë se ajo përfiton ndonjë gjë më tepër nga ana financiare për shkak të kësaj. Bardheblutë do të marrin 90 mijë euro si skuadër fituese e Kupës dhe 90 të tjera nga pjesëmarrja në Europa League. Edhe në këtë rast, çdo kalim i turit shpërblehet me 90 mijë euro. E njëjta gjë edhe për Flamurtarin e Vllazninë, të cilat luajnë në turin e parë. Ato do të përfitojnë secila nga 180 mijë euro vetëm për këtë tur, ndërsa në rast kalimi të tij, kjo shumë do të shkojë në 270 mijë. Duke parë edhe rezultatet e ndeshjeve të para, pritet që këto dy klube t'i kenë fituar tashmë këto para. Flamurtari fitoi 3-1 në Podgoricë ndaj Buduçnostit, një rezultat që duket shumë i vështirë për t'u përmbysur në Vlorë. Fitore arriti edhe Vllaznia, e cila mundi 1-0 Birkirkaranë në Maltë. Duke parë forcën e dobët të kundërshtarit, edhe për shkodranët mund të thuhet se i kanë tashmë të sigurta 270 mijë euro në llogarinë e tyre.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›