E Shtunë, 31 Tetor 2026

McLaren pret qëndrimin e Hamiltonit

Nga Express më 05 korrik 2011 në ora 08:13

Shefi i ekipit McLaren, Martin Whitmarsh, është optimist se Lewis Hamilton nuk do të largohet nga skuadra pas spekulimit rreth kalimit të tij në Red Bull.

E ardhmja e Hamiltonit në McLaren është vënë në dyshim pas njoftimeve se muajin e kaluar gjatë garës për Shpërblimin e Madh të Kanadasë është takuar me shefin e Red Bullit, Christian Horner. Ngasësi britanik ka mohuar spekulimet, ndërsa Whitmarsh nuk sheh arsye pse Hamilton do të largohej nga McLareni në fund të këtij sezoni. “Lewis e do ekipin dhe e di se kemi bolid konkurrent për të fituar gara”, tha ai për të përditshmen angleze The Independent.

“Ai më ka shpjeguar pasionin e tij, entuziazmin dhe dëshirën për të mbetur pjesë e këtij ekipi. E njoh prej kur ishte 11 vjeç dhe nuk mendoj se do të më shikonte në sy dhe të më thotë diçka që nuk mendon ashtu”, shtoi Whitmarsh i cili e mbrojti 26 vjeçarin nga kritikat – përfshirë Niki Laudan – për stilin e vozitjes së tij pas një serie të aksidenteve.

“Ngasësi duhet të sulmojë. Nëse dëshironi të tejkaloni një bolid të Formulës 1, ju duhet të merrni rreziqe. E njoh Nikin dhe më pëlqen, e pranoj se ka njerëz që thonë gjëra për të krijuar polemika. Niki është në atë kategori”, përfundoi Whitmarsh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›