E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Evropa në ekran” në Durrës

18/08/2010 “Evropa në ekran” këtë herë ka udhëtuar drejt Durrësit. Aktiviteti “i përuruar” mbrëmjen e së hënës do të mbahet deri më 20 gusht në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Ishte filmi “Një frankë, 14 peseta” (2006) me regji të Carlos Iglesias ai që përuroi Javën IX të Kinemasë Spanjolle në qytetin bregdetar. Filmi vendoset në Spanjën e viteve 1960, ku dy miq, Martíni dhe Markos, nisen për në Zvicër në kërkim të një pune. Lënë familjet në Spanjë dhe shkojnë drejt një jete të re në Evropën e progresit dhe të lirive. Atje do të zbulojnë një mentalitet shumë të ndryshëm me të cilin duhet të përshtaten, duke punuar si mekanikë në fabrikën e një fshati të vogël industrial. Me mbërritjen e Pilarit, gruas së Martinit dhe të djalit të tyre, Pablo, si dhe të Maria Karmenit, që është e fejuara e Markos, përfundon jeta e burrave beqarë, që të dy bënin në atë vend plot liri. Puna vazhdon përditë për Pilarin dhe Martinin, ndërsa djali fillon të shkojë në shkollë e të integrohet. Me vdekjen e babait të Martinit, mendojnë se atë që kishin kërkuar, e kishin arritur tashmë dhe vendosin të kthehen. Për çudi të tyre, do të jetë më i vështirë kthimi sesa largimi. Hyrja është e lirë dhe filmat do të shfaqen në versionin origjinal. Java IX e Kinemasë Spanjolle: “Evropa në ekran” sjell projektimin e një serie filmash spanjollë të realizuar në bashkëpunim me vende të BE-së, si Portugalia, Gjermania apo Franca, për të treguar ndryshimet dhe sfidat që, si Spanja ashtu edhe Evropa ka përballuar në 50 vitet e fundit dhe me pesë portrete që reflektojnë aspekte të ndryshme të shoqërisë evropiane sipas vështrimit të kinemasë spanjolle.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›