Evropa në prag të Depresionit
Charles P. Kindleberger, historian i madh i ekonomisë, dikur vërejti se Depresioni i Madh ishte i thellë dhe i gjatë, për shkak të “paaftësisë britanike dhe mungesës së vullnetit të SHBA”, për të stabilizuar sistemin. Mes shumë detyrave, të cilat fuqitë e mëdha dështuan që t’i përmbushnin, janë disa të cilat duhet të shihen si zile alarmi nga liderët evropianë sot. Kindleberger veçoi dështimin e tyre në mbajtjen e tregut të brendshëm të hapur për importe nga ekonomi të goditura nga kriza. Sigurisht, historia nuk po e përsërit veten-të paktën jo në kuptimin literal të termave. Vendet kreditore evropiane sot nuk janë të tunduar nga asgjë e ngjashme me Aktin e SHBA “Smoot-Hawley” që rrënoi tregtinë botërore në vitin 1930. Gjermania, Holanda, Austria dhe Finlanda mbeten të angazhuara për tregun unik të Bashkimit Evropian, për mallrat dhe shërbimet (ndonëse rregullimet nacionale që ato kanë pengojnë qarkullimin e brendshëm ndërevropian të kapitalit). E megjithatë, gjithkush nuk mund veçse të vërejë ngjashmëri me vitet ’30. Në kohën e Falimentimit të Madh, SHBA dhe Franca po grumbullonin sasi floriri, po aq shpejt sa Republika e Vajmarit po akumulonte papunësi. Sot, vendet e Evropës Veriore po njohin rritje rekord të bilanceve të veta financiare, me atë ritëm që vendet e Evropës Jugore po përjetojnë përvojën e Vajmarit në nivelet e papunësisë. Për Italinë, ekonominë e katërt më të madhe të Evropës, kriza e tanishme po rezulton të jetë më e thellë se ajo 80 viteve më parë. Ndërkohë, kursime të jashtëzakonshme dhe një kërkesë potenciale për konsum dhe të mira materiale mbeten ende inaktive. Si erdhi puna deri këtu? Sikurse Kemal Dervish ka nënvizuar, teprica financiare e akumuluar nga vendet skandinave, Holanda, Austria, Zvicra dhe Gjermania arrin në një shifër prej 500 miliardë dollarësh. Kjo e lë pas, tepricën e Kinës qoftë edhe në krahasim me kulmin e saj tregtar në mesin e viteve ‘2000, kur G-7(përfshirë Gjermaninë) rregullisht kritikonin Kinën për zhbalancim të tregtisë botërore. Edhe më e habitshme gjithsesi, në eurozonën drejt ribalancimit, është fakti se bilancet e mjaft vendeve priren drejt balancës (edhe Irlanda ka lëvizur nga deficiti drejt një bilanci të lehtë pozitiv). Një përjashtim është Gjermania, pozita e jashtme e së cilës u fuqizua shumë vitin e kaluar, me një bilanc që rritet nga 6.2% drejt 5% të GDP-së-e gjitha kjo edhe më e jashtëzakonshme po të vihet në kontekstin e recesionit evropian dhe një ekonomie të brendshme në ngadalësim. Përjashtimi i dytë është Franca. Përgjatë vitit të kaluar, deficiti i jashtëm i saj u përkeqësua edhe më; nga 2.4% shkoi në 3.5% të GDP-së (Prodhimi i Brendshëm Bruto). Franca aktualisht përballet me një rritje 0, ose negative dhe duket të ketë arritur në pikën ku duhet të ndryshojë kursin sa i përket konkurueshmërisë ose do të duhet të rrezikojë më tepër në të ardhmen. Fatkeqësisht, edhe këto të dhëna janë reminishenca të 1930-ës. Nëse do parafrazojmë Kindleberger-in, paaftësia e Francës dhe mungesa e vullnetit nga Gjermania për të stabilizuar sistemin po kontribuojnë në një krizë evropiane edhe më të vështirë. Në këtë kuadër, debati i zhvilluar në Bruksel, lidhur me sasinë e “duhur” të ndihmës shmang shënjestrën; po njësoj strategjia e liderëve të Evropës Jugore, për të akuzuar kancelarin gjermane Angela Merkel për rritjen që ata vetë u bëjnë taksave duket e kotë. Nuk është faji i Gjermanisë nëse Italia dhe Spanja duhej të reduktonin buxhetin e tyre vitin që shkoi...Kjo sugjeron një dështim kolektiv nga ana e liderëve evropianë në përkufizimin e përgjigjes ndaj krizës në vetvete. Liderët e vendeve të Evropës Jugore kanë harxhuar kohë dhe energji duke i kërkuar Merkelit një kurë më të lehtë fiskale. Merkel dhe aleatët e saj kanë investuar shumë kapital politik për t’i rezistuar një presioni të kësaj natyre. Kështu që Këshilli Evropian është bërë një teatër ku përsëritet e njëjta shfaqje e vjetër. Vendet e Jugut, duhet të pranojnë nevojën për reforma më të thella që t’i ndihin rritjes së konkurrencës. Gjermania me aleatët e saj duhet të pranojnë se bilancet shumë pozitive në tregtinë e jashtme po dëmtojnë eurozonën dhe ata vetë dhe për këtë arsye është koha për ta, që të heqin mënjanë pjesë të kursimeve të tyre skajshmërisht të mëdha, me synim mbështetjen e rritjes ekonomike. Pa një vullnet për rritje, pa një marrëveshje për reforma, përpjekjet e Evropës Jugore për të reduktuar borxhin mund të rezultojnë me një depresion politik destabilizues. Sikurse Mark Twain ka thënë: Historia nuk e përsërit veten. Në rastin më të mirë, ngjarjet e saj rimojnë”. Në rastin e Evropës, poezia mund të ishte shumë e errët.
Marrë nga "Todays' Zaman"
Përktheu: Skerdilajd Zaimi