Sfilitjet shpirtërore të Kutelit në penën e Tomi Matos
Mitrush Kuteli, babai i prozës moderne shqiptare, është patrioti shqiptar, ekonomisti me një vlerësim ndërkombëtar të njohur tashmë për ruajtjen e monedhës së vendit në Rumani dhe në Shqipëri i cili, nga dashakeqët e tij, veçanërisht nga diktatura shqiptare e E. Hoxhës, mbeti i varfër, me gjendje financiare të mjerueshme familjare, gjatë të gjithë jetës së tij, gjer më 5 maj të vitit 1967, kur vdiq. Si drejtor i Bankës Kombëtare në Bukuresht e në Tiranë, smirëzinjtë kanë hamendësuar se do të ishte i pasur në skamje; fashist, kur vjershat e tij kundër okupatorit dëshmonin të kundërtën; nazist, kur Gestapoja gjermane e Hitlerit e çoi në frontin e Moldavisë për ta ndëshkuar se e ruajti valutën rumune nga grabitja e pushtuesve hitleriane; armiq të shokut të dashur Tito, kur nuk pranoi të bënte paritetin e lekut shqiptar të mbështetur në ar, me dinarin jugosllav që s’kishte mbështetje as në bronz.
Libri prej 500 faqesh i mikut të Lasgushit e të Mitrushit, Tomi Matos, i shtjellon hollësisht jo vetëm këto të vërteta, por edhe atë që ai e quan “Kalvari i një jete plot brenga”. Kjo okielo - të themi - e librit të tij “Kuteli” gjendet në ballinën e librit, të botuar në vitin 2012. Autori i këtij libri, që mbështetet edhe në qëmtime dhe të dhëna nga intelektualë të tjerë, bën një falënderim të veçantë pa nisur me “Prologun” e librit, ndaj personave që mund të shpreheshin, për hir të njohjeve të drejtpërdrejta me Dhimitër Paskon. Këta përmenden si në trajtë bibliografie: Lasgush Poradeci, Behar Shtylla, Misto Marko, Petraq Kolevica, Irini Shuke (e mbesa Mitrush Kutelit. Libri që po i paraqesim publikut është shtrirë në të gjithë jetën e dallgëzuar të kësaj figure sipërane të vendit tonë, qoftë në rrafshin shkencor të protagonistit të librit, qoftë në atë letrar. Një meritë e qenësishme e autorit, Tomi Mato, qëndron në paraqitjen morale të protagonistit të librit të tij. Dhimitër Pasko ishte një besimtar me bindje të thella të trashëguara, dhe me respekt fetar të patrandshëm. Kryqin e Krishtit e mbante kurdoherë me vete. Ky besim hyjnor e ka ruajtur Dhimitrin nga rreziqe të paimagjinueshme në hetuesi. Tre hetues nuk kishin mundur dot t’i merrnin firmën për faje të pakryera. Torturat e hetuesisë përshkruhen imtësisht në librin e Tomit. Pasko del në gjyq pa pranuar akuzat false, kaq të rënda sa mund ta kishin çuar në ndëshkim kapital. Shtatë muaj hetuesie të “adhapeve vdekjendjellëse” i kujtojnë autorit atë thënien se edhe guri pëlcet nën rrezet e forta të diellit, por burri – nën torturat e çakenjve të Degës - ja qe nuk plaska. – Letrarët e Realizmit Socialist donin të më izolonin – thotë i burgosuri – që shkruaja jo sipas metodës së tyre, por sipas stilit tim origjinal. Kur bija në gjumë, nga torturat e tmerrshshme zgjohesha, por Jesu Krishti më frymëzonte: “Qëndro besnik e i qetë., i palëkundur dhe pa u frikësuar. Tre hetues ndërronin njëri tjetrin “Kush ju dha të drejtën ta gjakosni intelektualin e nderuar Pasko? – e fillonte hetuesinë i katërti. Pastaj, pasi nuk i ecte edhe atij, ai bëhej më i ashpër se të tjerët.
-Firmos se do të ta rrjep lëkurën! Përgjigjja ime:: - Ta lexoj se çfarë keni shkruar, pastaj ta firmos. Në Gjyq, prokurori Nevzat Haznedari mundohej që me fraza propagandistike të më bënte të pohoja ato që nuk kisha pranuar në hetuesi: - Kush e priti fashizmin me buqeta me lule, më 7 Prill? Kurse unë citoja vetveten me vjersha që mallkonin fashizmin italian të 7 prillit. Trupi gjykues i quajti si të pabesueshme këto farë “akuzash” të prokurorit.