E Diel, 1 Nëntor 2026

Evropa në shpëtim të euros

Prof.Dr Anastas ANGJELI

Kriza Greke vuri në provë Bankën Qendrore Evropiane. Ishte kjo një deklaratë jo e papritur, tashmë, e Presidentit të BQE-së, Jean-Claude Trichet. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe.
Kur kriza globale shpërtheu dhe pasojat e saj u shpërndanë me shpejtësi në gjithë vendet, duke përfshirë dhe ato të BE-së, u duk se Evropa dhe politikat e saj monetare, po i bënin ballë me sukses “efekteve spekullative të Woll Stretit” në Evropë. Por nuk ndodhi kështu. Tani kur “euro mbushi 10 vjet”, ajo u trondit rëndë. Megjithëse, nuk është e lehtë të thuash nëse kriza greke ishte shkaktare e kësaj situate apo anasjelltas. Por një gjë, tashmë, është e sigurt: Kriza greke, megjithë efektet negative të saj shërbeu edhe si një zile alarmi për vetë BE-në, për krijimin e një “Fronti në Shpëtim të Euros”, dhe ja se si.
EDHE NJëHERë PëR KRIZëN GREKE
Tashmë që kriza greke nuk është vetëm greke dhe nuk po trajtohet si e tillë, analistë të ndryshëm, e deri në drejtuesit më të lartë të shteteve dhe të vetë BE-së, janë më të qartë si për shkaqet që e çuan ekonominë dhe financat publike greke në këtë krizë, ashtu edhe për lidhjet dhe ndikimin reciprok (dhe frikën e efektit domino) të kësaj krize. Ishte kjo arsyeja që mbështetja politike dhe financiare që vendet e BE-së dhe FMN i dhanë Greqisë, në këmbim të një plani anti-krizë dhe reformash të “forta” (tashmë të miratuara nga Qeveria dhe Parlamenti Grek (megjithë reagimet e mëdha dhe të rënda sociale). Përbën një instrument jo vetëm ndihme, por edhe shpëtimi për Greqinë. Natyrisht, që arritja e një marrëveshjeje BE dhe FMN për vënien në zbatim të “planit të shpëtimit” prej 110 miliardë eurosh do t’i lejojë Greqisë të stabilizojë financat publike dhe ekonominë në një trajektore të qëndrueshme, larg rreziqeve që lidhen me stabilitetin e saj dhe në tërësi të eurozonës.
Ishte ky një vendim i udhëheqësve të 16 vendeve të eurozonës, që u takuan të premten e shkuar në Bruksel, për të dhënë bekimin e tyre për aktivizimin e mekanizmit lehtësues për Greqinë, dhe për të rënë dakord mbi atë që duhet të bëjë zonën e euros më të qëndrueshme, për të qetësuar tregjet financiare ndërkombëtare si dhe për të forcuar disiplinën fiskale në zonën e euros.
Por derisa të arrihej në këtë vendim u desh një periudhë e tërë përpjekjesh e negociatash dypalëshe Greqi-BE, duke kaluar disa etapa...Në themel të tyre qëndronin jo vetëm bërja transparente e situatës në ekonominë dhe financat publike të Greqisë, vështirësitë dhe pasojat e rënda sociale me të cilat do të përballej Greqia, masat dhe programi ekonomik e financiar tre vjeçar, që Qeveria Papandreu po ndërmerr, por, njëhershmi, zgjuan edhe vetë Evropën për t’i dalë ballë rrezikut që i kanosej, sidomos eurozonës.
ETAPAT E KRIZES!
Jo më kot, Komisioneri Evropian për çështjet Ekonomike,. Olli Rehn, në një intervistë dhënë një reviste finlandeze, duke vlerësuar këtë situate, deklaroi se "..falimentimi i mundshëm i Greqisë do të kishte në ekonominë globale efekte të ngjashme me ato të falimentimit të Bankës Lehman Brothers, ndoshta dhe më keq", ndërsa vuri në dukje se në këtë rast do të "rrëzohej sistemi global financiar dhe ekonomia globale do të hynte në recesion.
KRIJOHET FONDI PER
SHPETIMIN E EUROS
Vullneti dhe vendimmarrja e BE-së, për të shpëtuar Greqinë nga kriza më e madhe që e ka mbërthyer atë, është njëhershmi dhe një "mburojë" ndaj efektit domino të kësaj krize, sidomos në Portugali, Spanjë, Irlandë, dhe disa shtete të tjera të BE-së. (sipas institucioneve më prestigjioze të vlerësimit të riskut financiar-borxhit dhe aftësisë përballuese të tij (Moody's,"Standart &Poor's" ,"JCR",) "Shpresoj që autoritetet monetare të BE-së, - shkruan fituesi i çmimit nobel për ekonominë, Paul Krugman, të bëjnë një ndërhyrje efikase për të mbrojtur Greqinë dhe shtetet e tjera të BE-së, që ndodhen nën të njëjtin presion", përndryshe "Viti Domini 2010 mund të shndërrohet në vitin Domino 2010"...
Prandaj dhe reagimi i drejtuesve më të lartë të vendeve të BE-së dhe të vetë këtij institucioni ishte i menjëhershëm. Në letrën që Presidenti Frances Sarkozy dhe Kancelarja gjermane Merkel i drejtonin drejtuesve më të lartë të BE-së, veç të tjerave theksonin se "… Euro është një arritje e madhe e BE-së, që ka sjellë përfitime për të gjithë vendet e EUROZONëS. Jemi plotësisht të bindur se duhet të ruajmë solidaritetin, stabilitetin dhe unitetin e eurozonës. Ne do ta mbrojmë stabilitetin e Euros me çdo kusht", deklaroi Jose Barroso. Mekanizmi i mbrojtjes i euros do të jetë i bazuar në Bankën Qendrore Evropiane dhe Komisionin Evropian, por i mbështetur edhe nga FMN.
Vetë Presidenti i BE, Herman van Rompuy tha se Komisioni Evropian, Këshilli dhe të gjitha vendet anëtare të eurozonës ranë dakord për të mbështetur këtë përpjekje. Shqetësimi i kaloi kufijtë e Evropës. Presidenti i SHBA-së, Obama ka komunikuar me Presidentin francez Sarkozi dhe Kancelaren gjermane Merkel dhe ka zhvilluar një konferencë telefonike me liderët e G-7, duke kërkuar prej tyre marrjen e masave energjike, për të rikthyer besimin në tregjet financiare (investimet e shumta amerikane në Evropë dhe sistemi bankar amerikan duhen mbrojtur).
Ministrat e Ekonomisë së Bashkimit Evropian vendosën krijimin e një mekanizmi mbështetës për ekonomitë e Eurozonës, (pavarësisht mos pranimit nga ana e Britanisë së madhe) në këtë mekanizëm mbështetës do të marrë pjesë dhe FMN. Vendimi u mor në takimin e mbajtur në Bruksel, takim i cili zgjati 11 orë.
Plani për mekanizmin mbështetës të Eurozonës parashikohet të arrijë në Krijimin e Një Fondi deri në 720 miliardë Euro. Paketa do të përmbajë 60 miliardë Euro, të cilat do të vihen në dispozicion nga Komisioni dhe 440 në formë kredie ose garancie, të cilat do të jepen nga vendet e Eurozonës. Përveç kësaj shume, që arrin në gati 500 miliardë Euro, parashikohet që të shtohet dhe një pjesëmarrje nga FMN, e cila parashikohet të arrijë në "gjysmën e shumës së vendeve të Eurozonës", pra në rreth 220 miliardë Euro.
* * *
KONKLUZION: Kriza greke nuk është vetëm greke. Ajo tregoi se të gjitha vendet e eurozonës janë përgjegjëse për stabilitetin e eurozonës dhe të monedhës së përbashkët EURO.
MëSIMET NGA KRIZA: 1-Forcimi i Qeverisjes Ekonomike, Financiare e Monetare të eurozonës.
2-Forcimi i forcës rekomanduese të politikës ekonomike të BE-së.
3-Forcimi i koherencës dhe kontrollit buxhetor, i deficitit dhe borxhit publik në vendet e eurozonës.
4-Të ndiqet me përgjegjësi agjenda e veprimeve për mbikëqyrje më të fortë të sistemit bankar dhe rregullimin e tregjeve financiare.
5-Rritja e transparencës ekonomike, tregtare dhe financiare për vendet e eurozonës, etj.
6-Të garantohet një kuadër ligjor për menaxhimin e krizave.
7-Shqipëria dhe vendet e tjera kandidate për në BE duhet të përgatisin dhe të zbatojnë një program të studiuar mirë (duke marrë parasysh anët pozitive dhe negative për çështjen e qëndrimit të tyre ndaj Euros dhe Eurozonës.)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›