Berisha, investitorëve “Shqipëria vend potencialesh”
Prezantimi i potencialeve të Shqipërisë në sektorin energjetik, minerar, mbrojta e investitorëve dhe lehtësimi i procedurave për këta të fundit. Të gjitha këto janë bërë pjesë e fjalës përshëndetëse të Kryeministrit Sali Berisha dje gjatë konferencës së Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri. “Shqipëria, nuk është një vend i madh në gjeografinë e Evropës, por është një vend me potenciale të mëdha evropiane, për biznesin evropian dhe atë botëror”, tha kryeministri. Ai u ndal në prezantimin e potencialeve energjetike ku bëri me dije se janë dhënë rreth 200 koncesione për hidrocentrale, të tjerë koncesione për energjinë eolike dhe synimet për energjinë bërthamore duke theksuar edhe njëherë qëllimin për ta kthyer Shqipërinë në një superfuqi energjetike në rajon. Një tjetër aspekt ku është ndalur kreu i Qeverisë është sektori minerar. “Shqipëria është një nga vendet më të pasura në botë në krom. Prej dekadash, ajo ka qenë faktor botëror në prodhimin e kromit, prodhim që po njeh rritje të pandërprerë. Vendi është edhe më i pasur në nikel. Pasuritë e Shqipërisë në ferronikel dhe nikel silikat janë 2-3 herë më të mëdha, se ato të kromit”, informoi Berisha. Ai garantoi investitorët se mund të mbështeten tek Qeveria në çdo moment në kuadër të krijimit të një klime biznesi sa më të mirë.