E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët nën 5 vjeç,28 për qind më të shkurtër se mesatarja



Në zonat malore, 28% e fëmijëve nën 5 vjeç kanë gjatësi trupore poshtë mesatares. Shkak është kequshqyerja, e cila shkakton probleme në rritjen e tyre. Strukturat e shëndetësisë raportuan dje shifra të larta, të nxjerra nga studimet e kryera në popullatë. “Rreth 5 për qind e fëmijëve kanë një peshë më të vogël nga çështë e pritshmja. Rreth 19 për qind e tyre kanë gjatësi të vogël për peshën dhe 9 për qind e tyre kanë një raport të peshës me gjatësinë në atë që pritet”, tha dje Gazmend Bejtja, Drejtor i Shëndetit Publik në MSH. Këto të dhëna u bënë me dije gjatë takimit kombëtar në zbatim të programit kombëtar “Zvogëlimi i Kequshqyerjes së fëmijëve shqiptarë dhe rritjen e aksesit për ushqim.” Nga sa raportuan drejtuesit e shëndetësisë, kequshqyerja vjen si pasojë e disa faktorëve, të cilat nuk janë të përqendruara vetëm te pabarazitë sociale. “Nënat duhet ta ushqejnë ekskluzivisht me gji fëmijën e tyre, deri në moshën 6 muaj, me pas fillojnë ushqimet plotësuese, sipas një regjimi të caktuar”, tha Bejtja. Sipas tij, kur fëmijët janë të kequshqyer përpara moshës 2 vjeç, ata mund të pësojnë dëme të pakthyeshme mendore dhe fizike. Një nga ndërhyrjet më të shpejta, të Ministrisë së Shëndetësisë, do të jetë projekti për 5 rrethe të veriut dhe dy bashki peri-urbane në Tiranë, për përmirësimin e ushqyerjes te fëmijët 0-3 vjeç. “Ndryshe nga shumë projekte të tjera, ky projekt synon konsensusin e gjerë, këtë gjë e tregon dhe memorandumi i bashkëpunimit mbi ushqimin dhe ushqyerjen që ne do të firmosim. Ky memorandum do të hapë rrugën e aktivizimit të strukturave zyrtare dhe krijimit të një komiteti ndërministror”, tha Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në Tak. Ai shtoi se aktivitete të kësaj natyre synojnë të kontribuojë në përfshirjen e objektivave të ushqyerjes në politikat dhe programet ndërsektoriale, duke e dëshmuar këtë me ngritjen e një mekanizmi koordinues të qëndrueshëm kombëtar,r për ushqimin dhe ushqyerjen. “Veprimtaria e këtij mekanizmi do të shtrihet në kohë më shumë se një komitet “ad hoc” që ngrihet vetëm në kuadrin e një projekti apo programi. Me arritjen e këtij konsensusi, të gjithë aktorët do të angazhohen për të punuar së bashku për përmirësimin e gjendjes së ushqimit dhe ushqyerjes në Shqipëri”, tha Vasili. Programi është firmosur në datën 14 dhjetor 2009 nga Ministri i Shëndetësisë dhe Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›