E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: Brenda javës tjetër mbyllet shitja e eurobondit



Shqipëria pritet të mbyllë në fund të javës tjetër procedurat për emetimin e eurobondit 400 milionë euro. Ministri i Financave Ridvan Bode në një intervistë për agjencinë e lajmeve ‘Reuters’ bën të ditur edhe detajet. “Nuk jemi shumë të sigurt nëse do të jetë pas dy ditësh apo pas një jave. Ne jemi të interesuar që të mbyllim këtë transaksion”, tha Bode. Ai konfirmoi se fundi i javës tjetër mund të jetë data e fundit. Shqipëria, një anëtare e NATO-s dhe një kandidat potencial i BE-së përfundoi prezantimin e eurobondit në datë 26 prill dhe gjithë procesi përfshiu qytete si Londra, Vjena, Mynihu dhe Frankfurti. Gjithsesi procesi për emetimin e një eurobondi me maturim 3-5 vjeçar u anulua menjëherë pas përkeqësimit të krizës greke që alarmoi tregjet. “Tani jemi në pritje. Për ne situata ishte optimiste në fillim, por tani pas situatës greke dhe të vendeve të tjera mendoj se kemi disa vështirësi, por gjithsesi qëndrojmë në treg. Kur të shohim momentin e duhur do të dalim në treg”, tha Bode.
Kredia e vjetër
Zyrtarët shqiptarë do të donin të përfundonin procesin e emetimit të eurobondit deri në 28 maj, kur do t’u duhet të paguajnë 10 milion euro interes për borxhin e marrë vitin e kaluar në vlerën 192.6 milion euro. Sipas ‘Reuters’ Shqipëria sheh si të leverdishëm pagesën e plotë të kredisë pasi në të kundërt i duhet që të paguajë një interes 11 për qind, një marrëveshje e shtrenjtë e vitit të kaluar. “Shqipëria nuk ka nevojë domosdoshmërish për paratë e eurobondit, por për ekonominë tonë do të ishte shumë mirë që të arrihej kjo marrëveshje me tregjet financiare ndërkombëtare”, tha Bode. Zyrtarët shqiptarë shpresojnë që paketa emergjente e shpëtimit prej 750 miliard euro e miratuar nga Bashkimi Evropian dhe e lançuar këtë javë do të kthejë qetësinë në tregjet financiare duke lejuar vazhdimin e procesit. Parlamenti ka aprovuar një interes 7.5 për qind për eurobondin, por ekspertët thonë se Shqipërisë mund t’i duhet të paguajë më shumë tani. Dy vende të tjera ballkanike që janë përpjekur të mos i kërkojnë më Fondit Monetar Ndërkombëtar hua, Maqedonia dhe Mali i Zi, janë duke ndjekur nga afër shitjen e eurobondit të parë shqiptar pasi edhe ato shpresojnë të ndjekin të njëjtën rrugë në një apo dy muajt e ardhshëm. Sipas ministrit Bode, Shqipëria nuk ka nevojë për huat e FMN-së edhe pse ka kontakte të vazhdueshme me ekspertët e saj për konsulencë. FMN-ja ka këshilluar Shqipërinë që të ulë borxhin publik që aktualisht është 59.5 për qind e GDP-së. Ministri i Financave tha se grekët zotërojnë vetëm 3 banka nga 16 në total çka përfaqëson më pak se 20 për qind të tregut, dhe ato janë të siguruara mirë. “Ato funksionojnë si entitete të ndara nga bankat e tyre mëmë. Kështu që mendoj se impakti i krizës greke në Shqipëri nuk do të jetë i ndjeshëm. Do të jetë i njëjti presion që patëm vitin e kaluar nga kriza globale”, tha Bode.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›