Evropa shpëton sërish Greqinë

Greqia e rrezikuar nga falimentimi është shpëtuar sërish dhe mund të shpresojë për marrjen e ndihmave të tjera financiare. Fillimisht do të jepet injeksioni më urgjent financiar prej 12 miliardë euro nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Kjo u konfirmua nga kryetari i Eurogrupit, Jean-Claude Juncker, pas një takimi në Luksemburg me kryeministrin grek, Jorgos Papandreu .
"Jam totalisht i bindur se plani i privatizimit që po përpilon qeveria greke do të zbatohet së shpejti, në mënyrë transparente dhe të besueshme. Mbi këtë bazë pres që euro-grupi ta miratojë ndihmën financiare për Greqinë, sigurisht me kushte të ashpra", tha Juncker.
Ndërsa komisionari i BE-së për valutën, Olli Rehn, theksoi se ky vend nuk do të dalë jashtë eurozonës dhe nuk do të humbasë aftësinë për të paguar.
Ndërkohë flitet edhe për dhënien e 60 miliardë eurove shtesë ndihmë për Greqinë. Athina e zhytur në borxhe synon në katër vitet e ardhshme të kursejë 80 miliardë euro, ndër të tjera duke privatizuar ndërmarrjet shtetërore, duke shitur pasuri shtetërore apo duke shkurtuar rrogat.
Qeveria socialiste po has me një rezistence masive ndaj këtyre planeve.