EULEX-i mban ekskluzivitetin për rastet e luftës
Drejtori i Institutit të Mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur është ndërruar varësisht prej ndërrimit të qeverive, politikave dhe grupimeve politike dhe ky është një gabim i madh.
Duke folur për pengesat në mosidentifikimin e mbetjeve mortore që bëhen nga EULEX-i, Gërxhaliu ka thënë se në Ligjin për themelimin e Departamentit të Mjekësisë ligjore nuk ceket për ndonjë ekzekutiv të EULEX-it, kurse në raportet e tyre dhe më pas me ish-shkresat e tjera, EULEX-i mban ekskluzivitetin e këtyre rasteve.
“Në disa raste, të cilat janë më të ndjeshme, ne fare nuk kemi qasje, pra thjesht EULEX-i mban ekskluzivitetin për rastet e luftës”, ka theksuar ai për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq, sa i përket identifikimit të mbetjeve mortore, Gërxhaliu është shprehur se nga 400 mbetje që kanë qenë më herët, pas arritjes së analizave, janë ribashkuar shumica e pjesëve, kështu që numri i individëve ka rënë në rreth 250. Sipas tij, më e vështira e kësaj çështjeje është se kjo pjesë e mbetur nuk konsiston me donorët e gjakut familjar.