E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sytë nga Dogana e ATK

Nga Express më 04 qershor 2011 në ora 19:00

Njohësit e ekonomisë dyshojnë se Kosova do të mund ta mbulojë deficitin për vitin 2011, pas ndërprerjes së marrëveshjes 18 mujore me FMN-në, Stand By Arrangement.

Barrën kryesore tash do ta kenë Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana. Muhamet Sadiku, thekson se Kosova gjatë këtij viti do të ballafaqohet me sfida të mëdha fiskale. “Do të jetë e vështirë të mbulohet deficiti. Kosova po mendohet që do ta mbulojë deficitin duke e luftuar ekonominë joformale, por këtë është dashur ta bëjë shumë vjet më parë. Mendohet se do të rriten të hyrat buxhetore nëpërmjet ngritjes së disiplinës fiskale. Por, jo, kulturat fiskale nuk ndërtohen brenda një viti, është dashur të punohet shumë më herët”, thotë Sadiku.

Në anën tjetër, profesori i ekonomisë Mejdi Bektashi, shprehet optimist se nga të hyrat që do t’i realizojë Kosova në këtë vit, do të mund të mbulohet deficiti. “Shumë shtete të botës kanë probleme me deficit dhe ekzistojnë mundësitë që ky deficit të mbulohet në forma të ndryshme. Ne në këtë vit nuk do t’i kemi mjetet nga FMN-ja, por unë besoj se të hyrat nga Doganat e Kosovës, ATK-ja dhe burimet tjera në pjesën e dytë do të jenë më të mëdha se sa që janë paraparë”, shprehet Bektashi.

Sipas Bektashit, në dy muajt e fundit Kosova mund të ballafaqohet me mungesë të mjeteve buxhetore, por ai thekson se edhe atëherë ekzistojnë mundësi të tjera që të mbulohet ky deficit. Në bazë të standardeve evropiane, niveli i deficitit buxhetor nuk guxon të kalojë më shumë se 3 për qind të GDP-së.

Vendet evropiane kanë hyrë në deficite shumë më të thella, por këtë e kanë arsyetuar me projekte investuese, të cilat sjellin të mira për ekonominë dhe sigurojnë rritje ekonomike.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›