Evropa “stacioni” i radhës për Sukaj

Volejbollistja e ekipit kombëtar Rubena Sukaj e justifikoi edhe një herë veten përballë ‘ishulloreve' se mbetet sërish titullare me fanelën kuqezi. Loja e saj efikase dhe përvoja amerikane kontribuoi shumë në fitoren e 11 majit në ndeshjen e dytë të turit të parë eliminator të kampionatit europian. Një fitore që i dha mundësi përfaqësueses sonë të vazhdonte më tej aventurën europiane. Në një intervistë për ‘Panorama Sport', Rubena Sukaj, tashmë një shqiptare e "amerikanizuar" po mendon për sfidat me Cekinë, Slloveninë dhe Moldavinë. Ndërkohë shtatlartja shtoi se është shumë pranë "divorcit" me "Tokën e premtuar".
Sukaj, si do t'i vlerësonit takimet e para për Evropian?
Në takimin e parë, i cili u pa edhe nga rezultati përfaqësuesja jonë nuk paraqit ashtu sic duhet. Dhe kjo ndodhi për shkak të disa faktorëve. Kundërshtaret angleze luajtën shumë më mirë në shtëpinë e tyre ku edhe fituan me rezultatin 3-1. Por pavarësisht kësaj ne dhamë maksimumin dhe arritëm të merrnim një set që do të ishte shumë i rëndësishëm për më tej. Ndërkohë që në ndeshjen e kthimit në Durrës ndodhi krejt e kundërta nga ajo që pamë në Angli. Ekipi ynë u paraqit shumë fortë në parket dhe arriti të shfaqë atë që duhej dhe për të cilën ishim përgatitur gjatë stërvitjes. Përgjatë gjithë lojës ne nuk i lamë asnjë shans angelezeve dhe ajo u duk edhe te rezultati i pastër 3-0. Shërbimi ishte armë kryesore. Edhe nga statistikat u pa se u kryen shumë pikë nga shërbimi dhe sulmi i kundërshtarit nuk arriti të organizohej fare. Edhe blloku ka qenë në një ditë shumë të mirë në ndeshjen e kthimiit. Blloku u organizua më mirë se në Angli. Gjithashtu patëm më shumë besim te vetja, e cila u ndihmua edhe nga mbështetja e publikut. Ndryshe nga takimi në Shefild, në takimin e dytë publiku u bë një shtysë për ne.
Sa i efektshëm ka qenë grumbullimi në prag të eleminatoreve?
Mund të them se grumbullimi ka qenë i efektshëm. Në fillim ne u grumbulluam në Durrës ku atje kemi bërë stërvitje si paradite dhe mbasdite. Ndoshta nevojitej më shumë kohë në dispozicion, por edhe kaq sa qenë, them se ishte i mjaftueshëm.
Parashikimi juaj për turin e dytë...
Me të rriturat nuk kam luajtur asnjëherë kundër përfaqësueses ceke dhe asaj sllovene, ndërsa me kombëtaren e Moldavisë jemi përballur me të rejat dhe i kemi mundur. Në përballjet direkte me të rriturat nuk e di cfarë mund të ndodhë pasi nuk jemi ndeshur ndonjëherë. Ndonjë parashikim për këto eleminatore nuk kam, por mund të them këtë që të gjitha do të mundohen të japin maksimumin në parket me cdo kundërshtar.
Sa ju ka ndihmuar Amerika për fanelën kuqezi?
Amerika është një eksperiencë më vete. Patjetër që më ka ndihmuar shumë. Më tepër rëndësi në Amerikë i kushtohet atletikës, përgatitjes fizike, sallës së forcës. Përpara se të shkoja atje këto ishin të reja për mua si sportiste. Dhe të gjitha këto kanë kontribuar shumë në formimin tim.
Ku do ta shohim Sukajn në të ardhmen?
Shpresoj se mund të shkoj te një ekip në Evropë. Në dhjetor unë mbaroj shkollën dhe po mendoj për një transferim pasi në Amerikë nuk ekziston një ligë profesioniste të volejbollit. Por se ku nuk e kam vendosur akoma. Deri tani nuk kam patur ndonjë ofertë nga jashtë, por le të presim.
Cila është forma aktuale e Rubenës? Po e kombëtares?
Them se për momentin jam në kulmin e formës sime. Unë sapo vij nga një fazë përgatitore shumë e mirë ku jam përgatitur gjatë gjithë kësaj periudhe për tëa ardhur në kombëtare. Gjithashtu edhe kombëtarja gëzon një formë të mirë të pasi të gjitha vajzat vijnë nga ndeshjet e play off-it. Me këtë grup unë kam luajtur edhe më përëpara me para të rejat dhe me të rejat dhe tani edhe me të rriturat. Mendoj se niveli i kësaj skuadre është i lartë dhe them se kemi shumë shanse nëse do të luajmë më fort.