Xhudo sjell malazezë për gjykim në kampionat

U zhvillua dje në pallatin e sportit të kryeqytetit "Asllan Rusi" kampionati kombëtar për të rritur i xhudos. E reja e garës ishte se gjykimi i sfidave sipas peshave u bë nga një gjyqtari e huaj nga Mali i Zi. Sipas sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Xhudos, Labo Capo në aktivitet morën pjesë 8 ekipe, 60 meshkuj dhe femra. "Vlen për t'u përmendur se kampionati u shoqërua nga një rivalitet i fortë dhe kualitet i lartë nga të gjithë konkurentët. Deri në fund gjithcka shkoi shumë mirë. Dua të theksoj se aktiviteti u gjykua nga gjyqtarë nga Mali i Zi për të shmangur cdo pakënaqësi nga sportistët tanë pasi sic dihet niveli i gjyqtarisë tonë lë shumë për të dëshiruar. Kjo u arrit falë bashkëpunimit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe atij malazez. Në të gjitha takimet malazezët kanë qenë tepër kompetentë në vendimet e marra. Ata janë gjyqtarë ndërkombëtarë të licencuar edhe nga Federata Europiane e Xhudos. Ndërkohë dje nuk kanë munguar edhe dy xhudistët që stërviten jashtë vendit Ylli Ujka dhe Paolo Jakini", u shpreh sekretari Cabo për ‘Panorama Sport'. Gara e "Asllan Rusit" shërbeu edhe si një test për xhudistët kuqezi përpara Lojërave Mesdhetar "Peskara 2009". "Nga ky kampionat do të përzgjidhen elementët e parë dhe vazhdimisht gjatë gjithë rrugës do të ketë seleksionime për Lojërat Mesdhetare ‘Peskara 2009' për një paraqitje sa më dinjitoze të sportistëve tanë. Madje këta do të jenë në vijim nën vëzhgimin e specialistëve të Federatës Shqiptare të Xhudos. Ne si federatë do të përpiqemi që t'u mundësojmë edhe ndonjë trajnim jashtë vendit. Pra këtu u hodh hapi i parë për përzgjedhjen e sportistëve cilësorë", përfundoi titullari i xhudos.
Olgert Serani
Fituesit sipas peshave
Pesha 60 kg Altin Përgjegji (Besëlidhja)
Pesha 66 kg Paulo Jakini (Vllaznia)
Pesha 73 kg Elis Pjetri (Vllaznia)
Pesha 81 kg Ylli Ujkaj(Vllaznia)
Pesha 90 kg Emiliano Sinameta(Teuta)
Pesha 100 kg Endri Kodra (Teuta)
Pesha +100 kg Janosh Erzek (Dinamo)
Si ekip: Vllaznia
Sportisti më i mirë i aktivitetit: Paulo Jakini (Vllaznia)
Sportistja më i mirë e aktivitetit: Aurora Shkoza (Vllaznia)