Çoroditja e opozitës vjen nga përhumbja e Ramës
Fjala më e pëlqyer ditën e djeshme nga kreu i PS, Edi Rama, përgjatë mbledhjes së grupit “Për politikat rinore” ishte “çoroditja”. Çoroditja është fjalë për të identifikuar njeriu që është futur në rrugë të gabuar, që ka humbur vetitë e mira, është prishur dhe zvetënuar, sipas fjalorit të gjuhës shqipe. Më saktë, Rama e kishte fjalën për çoroditjen që u bëjnë universitet të rinjve sepse, sipas tij, “Universitetet janë kthyer në streha vorfënore të mjerimit akademik”. Prandaj në një aktivitet të pasdites së djeshme në Akademinë politike të PS-së, e cila filloi leksionet e saj në një sallë të veshur me ca llamba të fikura dhe ca të ndezura që të kujtojnë elektrifikimin e hershëm të partisë, Rama parashtroi mjegullisht të rinjve socialistë një “Shqipëri tjetër”. Ndofta virtuale. Rama ka ftuar të rinjtë politikanë të mos heqin dorë nga politika pavarësisht modelit të keq aktual në vend. Sigurisht në këtë model të “keq” Rama përjashton veten pjesëmarrja në model sepse siç është vetëdeklaruar “nuk është politikan”.
Megjithatë tenton t’u shpjegojë të rinjve një gjë që vështirë se e kupton vetë: Politika pikë së pari është përgjegjësi ndaj zgjidhjes së problemeve të qytetarëve dhe jo shumëfishimit të tyre. Politika është e bukur kur mendon dhe punon të jetë promotorja e reformave të domosdoshme të arritjes së ca standardeve të larta në universitete shtetërore dhe krijimin e një klime miqësore për lindjen e Universiteteve private, që nxisin konkurrencën e sipërmarrjes së lirë të qytetarëve në fushën e dijes. Prandaj janë politikanët si profesionistë të sintezës së nevojave dhe kërkesave të reja të popullsisë. Kush e mban mend situatën e nderë të konkurseve për hyrje në fakultete nga ana e studentëve do të mirëkuptojë gjithë punën e bërë për të shmangur abuzimet dhe liberalizimin e një sektori të atrofizuar dhe tautologjik.
Përtej kësaj kujtese të domosdoshme, në fakt sot kemi një qeveri e cila ngarend nëpër reforma integruese për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe një opozitë që mendon të gjejë mënyrën sesi të izolojë në një cep qeverinë dhe ta godasë fort. Shembulli më i qartë është analiza e punës së opozitës socialiste pas zgjedhjeve të 2009. Përveç bojkotimit flagrant të punimeve gjatë tre viteve të fundit, kreu i opozitës, Edi Rama ka punuar për të bindur të “tjerët” se nuk ka humbur asnjë palë zgjedhje, porse ia kanë vjedhur me marifete. Mjerisht për t’u dëgjuar nga të gjithë, brenda dhe jashtë, Rama ka ngritur tonin e zërit duke u bërë agresiv në daljen në rrugë me protesta, përballë kryeministrisë me çadra e grevë urie, me organizimin dhe stimulim të trazirash të dhunshme. Synimi kësaj adrenaline publike ishte fshehja e realitetit të hidhur dhe sajesa e një alibie politike.
Sakaq, edhe pse u dëgjua nga ndërkombëtarët, argumentet faktike që duhet të provonin akuzën ishin vetëm hamendje paranormale të një lideri në vështirësi. Rama u dëftye një njeri i rrezikshëm për uljen e stekës së demokracisë në vend. Me një lehtësi të habitshme vuri në plan të parë të agjendës politike të opozitës këndvështrime personale të humbjes së zgjedhjeve parlamentare dhe lokale, duke harruar institucionin e analizës që do të ndante përgjegjësitë dhe meritat.