Evropianët pesimistë

Një sondazh i fundit i së përditshmes britanike, “The Guardian”, ka nxjerrë në dritë se njerëzit në kontinent e shohin me pesimizëm të ardhmen e tyre ekonomike dhe mendojnë se liderët që kanë zgjedhur nuk janë të denjë për postin që kanë.
Me pak fjalë, sipas sondazhit, shpresa e Evropës për një të ardhme më të mirë është duke u zhdukur, ndërsa kriza financiare dhe reduktimet e shpenzimeve publike janë bërë “therëse”.
Sondazhi është ndërmarrë në pesë vende e të Bashkimit Evropian dhe një nga zbulimet e tij është rënia jashtëzakonisht e madhe e besimit të njerëzve te qeveritë dhe politikanët, si dhe frika e përshkallëzimit të situatës së keqe ekonomike.
Është një sondazh i zhvilluar online me 5000 persona nga Britania, Spanja, Gjermania, Polonia dhe Franca.
Në të jepet një tablo e besimit që kanë njerëzit në vlerat liberale të kontinentit në të cilin jetojnë, si monedha e përbashkët, lëvizja e lirë, ndërkohë që janë shumë armiqësorë dhe të pakënaqur ndaj shpenzimeve të pushtetarëve dhe vetë liderëve politikë.
Janë të pakët ata evropianë që besojnë se kriza ekonomike që preku kontinentin dhe të gjithë botën në vitin 2008 ka marrë fund.