BE do të testojë të gjithë centralet bërthamorë
Shtetet e Bashkimit Evropian do të zhvillojnë kontrolle sigurie në të gjithë centralët bërthamorë në territorin evropian. Këtë e bëri të ditur komisari i BE-së për energjinë, Günther Oettinger pas një takimi krizë me ministrat e Energjisë së BE-së, koncernet e energjisë, si dhe autoritetet e kontrollit në BE. Në të ashtuquajturin "test stresi" do të bëhet rivlerësimi i rreziqeve për centralët bërthamorë në raste katastrofash natyrore, si tërmete apo përmbytjet.
Ndërkohë për shkak të frikës nga një katastrofë bërthamore në Japoni, do të shkëputen përkohësisht nga rrjeti shtatë centrale bërthamorë gjermane, që kanë nisur nga puna deri në vitin 1980. Këtë e bëri të ditur kancelarja gjermane Angela Merkel pas një takimi me kryeministrat e landeve gjermane që kanë centrale bërthamorë në tokën e tyre. Një central bërthamor me defekte në landin Shlesvig-Holshtajn, do të qëndrojë edhe në të ardhmen i shkëputur nga rrjeti.