Ezpeleta: Kavasaki në gjyq nëse braktis pistat
Shefi i "Dorna"-s, Karmelo Ezpeleta, shprehu besim se skuadra Kavasaki do të garojë në vitin 2009. Pronari i MotoGp, konfirmoi se i ka ofruar prodhuesit japonez një marrëveshje, me kushtin se do të lihen të lirë për kampionatet 2010 dhe 2011, nëse përfaqësohen në sezonin e ri. Largimi i Kavasakit nga pistat erdhi për shkak të krizës botërore, por Ezpeleta po bën të pamundurën që kjo skuadër të mos mungojë në vijën e nisjes. "Ekziston një marrëveshje deri në vitin 2011 që ‘Dorna‘ ka me shoqatën e prodhuesve: në shtator 2008, ata na treguan me sa motorë do të garonin në sezonin e ri. Këtu përfshihej edhe Kavasaki", shpjegoi ai. "Marrëveshja nuk mund të prishet, kjo do të ishte e papranueshme. Duke marrë në konsideratë faktin që pagesa e të gjitha shpenzimeve për garat e vitit 2009 është kryer, u propozova këtyre prodhuesve të garojnë edhe në sezonin e ri. Në këmbim, do t‘i lejoja që mos të merrnin pjesë në dy edicionet e ardhshme". Ezpeleta ka gjetur edhe një zgjidhje për problemin e konstruktorit, të cilët mund të mbulojnë vetëm 25 për qind të sezonit me motorët aktualë. "Ata nuk donin të prodhonin motorë edhe për pjesën tjetër të kampionatit e për këtë arsye bisedova me një kompani në Francë, e cila ishte në gjendje ta kryente këtë detyrë. Pengesa e fundit është që japonezët të takohen me këta persona dhe të pranojnë programin e tyre. Duhet të kujdesemi edhe për pilotët Xhon Hopkins e Marko Melandri. Gjithsesi, ky mbetet një problem i Kavasakit: nëse ata nuk garojnë, çështjen do ta kaloj në gjykatë".