Shqipëria, tri shkallë më lart në klasifikimin FIFA
Përfaqësuesja shqiptare e futbollit është ngjitur me tri vende në klasifikimin botëror të FIFA-s. Edhe pse nuk ka zhvilluar asnjë aktivitet gjatë kësaj periudhe, kuqezinjtë e drejtuar nga Ari Han përfitojnë nga uljet e skuadrave të tjera. Nga vendi i 81-të, Kombëtarja kalon në të 78-in, me 424 pikë të grumbulluara. Në një klasifikim që na sheh në pozita të njëjta me Libinë, Shqipëria është skuadra e cila ka përparuar më shumë në Grupin 1 eliminator të Botërorit 2010, në muajin janar. Ngjitja në ranglistën botërore ka sjellë përmirësim të pozitave edhe në klasifikimin kontinental. Tashmë ndodhemi në vendin e 36-të, menjëherë pas Letonisë, nga 53 federata anëtare të UEFA-s. Një tjetër fakt interesant është se kjo është renditja e dytë më e mirë në muajin janar, që prej vitit 1993: më mirë kuqezinjtë kanë bërë vetëm në vitin 2001, kur renditeshin të 74-it. Nga kundërshtarët e Shqipërisë, renditjen më të mirë e ka Portugalia. Luzitanët nuk kanë pasur asnjë ndryshim nga klasifikimi i një muaji më parë, duke qëndruar të 11-ët në botë, me 1007 pikë. Pas tyre vijnë Suedia (31) dhe Danimarka (36), të cilat kanë fituar nga një vend. Asnjë ndryshim për Hungarinë që mbetet e 47-a në botë, ndërkohë që Malta, kundërshtari ynë i radhës, bie në vendin e 148. Renditja e FIFA-s kryesohet nga Spanja, ndërsa pas saj vijnë Gjermania dhe Holanda.