E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzimi i Kaka: Do të plakem te Milani

"Dua të plakem te Milani". Në një intervistë të dhënë për "Sport Mediaset", fantazisti Kaka u është përgjigjur zërave insistues nga Anglia në lidhje me një interesim të jashtëzakonshëm të Mançester Sitit për talentin brazilian e shoqëruar me një ofertë të barabartë me 100 milionë euro.

Refuzimi

"Objektivi im është të bëhem kapiteni i kësaj skuadre", ka theksuar braziliani, i cili kishte folur edhe më parë për këtë aspiratë të tij gjatë verës së fundit, duke konfirmuar besnikërinë e tij për ngjyrat kuqezi. "E di që ka hierarki dhe përpara janë Maldini e Ambrozini, por më pas...", ka vazhduar Kaka në lidhje me objektivat e tij në të ardhmen kuqezi. Për kërkesën e Sitit ka shtuar: "Kam refuzuar deri tani shumë oferta të rëndësishme".

Zëdhënësi

Por një transferim i Kakasë te skuadra e Mançester Sitit "nuk është i pamundur", në rast se klubi i anglez të mund të demonstrojë se mund "të bëhet një nga ekipet më të mirë të botës". Një gjë të tillë nuk e ka thënë një njeri dosido, por as më pas dhe as më shumë se Diogo Kotscho, bashkëpunëtori i brazilianit, i cili është njëkohësisht edhe zëdhënësi i tij për shtypin. Këtë e ka bërë në një intervistë të dhënë për televizionin britanik "Sky Sports Neës", në të cilin ai ishte etiketuar si menaxheri i Kaka, por që në fakt këtë post e mban babai i brazilianit të Milanit.

Dera e hapur

"Nuk është e pamundur, edhe pse do të jetë e vështirë të gjendet një marrëveshje me klubin e Milanit, ka dashur të nënvizojë zëdhënësi Kotscho. Nëse Mançester Siti prezanton një projekt të aftë për të tërhequr në ekip edhe lojtarë të tjerë të mëdhenj për t‘u shndërruar në një skuadër model si Milani, atëherë mund të flasim sërish për këtë çështje. Kampionati anglez është një nga më të mirët dhe Kakasë do t‘i pëlqente shumë të luante atje. Por nuk e di nëse ky është momenti i duhur dhe kjo është oferta e duhur. Për momentin do të duhet të presim se cilat do të jenë zhvillimet e tratativave mes dy klubeve". I blerë që nga fillimi i sezonit nga familja e mbretërore e emirateve nga Abu Dabi, Mançester Siti i ka ofruar një shumë stratosferike prej 100 milionë eurosh Milanit dhe një rrogë prej 550 mijë eurosh në javë për lojtarin (Gazzetta Dello Sport), me një kontratë deri në fund të vitit 2013.

Bastexhinjtë

Edhe pse Kaka për momentin ka refuzuar, oferta stratosferike e Mançester Sitit për Milanin nuk i ka lënë indiferentë bastexhinjtë anglezë, sipas të cilëve kjo tratativë është shumë e mundshme të konkretizohet pikërisht në muajin janar. Në bazë të kësaj bindjeje, Uilliam Hill e ka kuotuar largimin e brazilianit nga Milani me 1,60 kundrejt 2,10 kuotën për qëndrimin e tij në skuadrën e kuqezinjve italianë.

Kushti

Zëdhënësi Diogo Kotscho: "Nëse Mançester Siti prezanton një projekt të aftë për të tërhequr në ekip edhe lojtarë të tjerë të mëdhenj për t‘u shndërruar në një skuadër model si Milani, atëherë mund të flasim sërish për këtë çështje".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›