E Shtunë, 31 Tetor 2026

FAKTI DHE KOMENTI

Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis, ka njoftuar këtë javë për një regjistrim të përgjithshëm të të gjitha pronave të patundshme në Greqi. Ky njoftim u pasua nga reagime të shumta të komunitetit çam në Shqipëri, të cilët prej kohësh kërkojnë nga autoritetet greke njohjen e të drejtave të mohuara të shtetësisë dhe të pronave. Ata e cilësuan këtë vendim si një përpjekje për t’u mohuar atyre të drejtën e pronësisë. Duke pasur parasysh faktin se Greqia është një vend anëtar i BE-së, si dhe faktin që shumë shpejt edhe vendi ynë do të jetë pjesë e BE-së, sa të bazuara mund të cilësohen shqetësimet e deklaruara të komunitetit çam?

Kam përshtypjen se në shqyrtime çështjesh të tilla, që lidhen me referenca ligjore e me akte konkrete të një qeverie tjetër (nganjëherë edhe tonës), ne nxitohemi pak. Kush nuk e di se e para gjë që duhet bërë në kësi rastesh është të njihet saktë se ç’ka ndodhur e përse bëhet fjalë. Gërmova gjatë në thuajse të gjitha faqet e shtypit tonë të këtyre ditëve dhe e dini ç’gjej? Vetëm komente. Kritika e dyshime lidhur me diçka që nuk merr mundimin ta botojë askush, në origjinal. Fakti merret si i mirëqenë edhe pse askush nuk citon gjë prej gjëje. Gjendet pastaj dhe ndonjë intervistë, patriotike dhe me plot nerv “në mbrojtje të së drejtës së pronës, të të drejtave të njeriut, madje edhe të së drejtës ndërkombëtare”. Një tip interviste që, përveçse kënaq emocionet e bashkëkombësve tanë të sfilitur me çështjen e pronave të tyre në Çamëri, asnjë kontribut nuk përbën për zgjidhjen reale, zyrtare e ligjore të çështjes. Pikërisht për arsye se çështja është zyrtare e ligjore. Kemi plot arsye të dyshojmë edhe pa referenca sigurisht. Sepse kemi plot referenca nga e kaluara, nga historia. Sjellja e politikës dhe administratës greke ndaj çështjes së pronave të çamëve në gjithë këto dekada, e justifikon dyshimin se edhe me këtë “hap të fundit” diçka jo e favorshme për ta duhet të ketë ndodhur. Por ngjarja e re është ngjarje e re. Kur flasim për të, pikësëpari duhet të pyesim e sqarohemi: Çfarë ka ndodhur? Sepse të bërtasësh kështu paradhënie se “kjo patjetër është një hile”, “një dredhi e re e qeverisë greke”, pa e lexuar aktin, pa e ditur se ç’procedurë e re ka hyrë në fuqi, e si vepron mekanizmi i ri, nuk është se zgjidh ndonjë gjë.

Kështu që të më kuptoni se përse, në respekt të pyetjes suaj, unë vazhdova gërmimin. S’gjeta ndonjë gjë të madhe. Ka të ngjarë që komentet tona të fundit –si dhe shqetësimi lidhur me to – të jenë ngritur mbi një akt që referon zyra greke e kadastrës (Ktimatologio) e botuar si “deklaratë shtypi nga ambasada greke në Hagë” rreth një muaj më parë. Por ka të ngjarë edhe jo. Mund të jetë ndonjë akt tjetër i qeverisë greke, që kush e ka është i lutur ta botojë, që pastaj ne t’i bëjmë koment. Po të nisem nga ajo që gjeta, në vështrim të parë nuk shohim arsye për ndonjë alarm special. Të them të drejtën, përshtypja që krijohet është e kundërta. Deklarata njofton lehtësira të qarta, veçanërisht për poseduesit e pronave që jetojnë jashtë Greqisë. Ja disa prej tyre: shtrirja e shërbimit kadastral edhe në 107 zona të tjera të Greqisë ku deri më sot nuk ka pasur kadastra, përdorimi i metodës së regjistrimit me internet (on-line), përdorimi i përfaqësuesve të autorizuar për regjistrimin, si dhe ofrimi i burimeve të informacionit me telefon ose me internet. Ofrimi i lehtësirave të tilla shërben edhe si justifikim për vendosjen e një afati, që nuk është tetori – siç e referojnë disa medie tonat – por 30 dhjetori.

E megjithatë ky hap e ka një “hile” me të cilën për çudi nuk janë marrë komentatorët dhe intervistuesit. Kur flet për të huajt që kanë prona në Greqi ai në çdo rast bën fjalë për “helenë”. Fund e krye pra në dokument gjejmë trajtimin vetëm të dy kategorive: qytetarët grekë në Greqi dhe “grekët” që jetojnë jashtë Greqie (Hellenes abroad and hellenic citizens residing abroad). Nuk jam jurist dhe nuk e di në se çamët tanë e plotësojnë apo jo dot këtë kusht të fundit. Ajo që di është se pa vërtetuar ose “helenizmin” ose shtetësinë greke të tyre, ata janë vetiu të përjashtuar fare nga ky trajtim. Nisma në fjalë e administratës greke pra, do të ishte jo keq, madje mirë për komunitetin çam që kërkon pronat e veta, por ajo kalon patjetër nga një hap tjetër teknik: dhënia çamëve e shtetësisë greke. Duke i bërë ata në rastin tonë me dyshtetësi. Sigurisht nëse këta të fundit e kërkojnë dhe pranojnë atë (me sa di, kjo kërkohet prej kohësh nga strukturat e shoqatës së komunitetit çam). Ndryshe duhet thënë troç që nga ky akt çamët janë krejtësisht të përjashtuar. Dhe këtu natyrisht që ka vend për alarm të fortë e përçapje energjike në forumet ndërkombëtare. Sepse s’ka asnjë dyshim që përjashtimi përbën një dhunim të akteve themelore që Greqia vetë i ka nënshkruar dhe madje na i referon nga këto forume, ku ajo është jo vetëm anëtare e vjetër, por herë pas here edhe kryesuese (sipas rotacionit).

Kjo temë e sotme në fakt më sjell ndërmend një lidhje të çuditshme. Me faktin se përse në fluksin e madh të asistencës që vjen nga BE-ja (apo përgjithësisht nga jashtë), për çështjet lidhur me të drejtën ndërkombëtare, me pronën private e pronësinë në përgjithësi, dhe me të drejtat e njeriut, nuk figuron pothuajse hiç fare “ekspertizë greke”. Janë tema të sikletshme si për “ekspertizën” ashtu edhe për politikën greke. Pastaj edhe nuk u hyn në punë. Sepse interesat e minoritetit grek në Shqipëri madje edhe të kishës greke, i mbrojnë e shumëfishojnë me një zell të patreguar vetë funksionarët e shtetit shqiptar dhe politika jonë. Më mirë sesa e bëjnë tanët s’do ta bënte askush. Derisa edhe kockat e fëmijëve të Kosinës ua dhamë për... ushtarë grekë.

E dyta, dhe vetëm e dyta, vjen çështja e kohës. Nëse janë apo jo të mjaftueshme 4 muajt që mbeten për këtë regjistrim, deri në 30 dhjetor 2008. Nisur nga kronikat mbi zgjatjen disaorëshe të një regjistrimi të thjeshtë edhe për qytetarët grekë që janë atje, si dhe nga burokracitë shtesë që do t’i kërkohen një çami nga Tirana për regjistrimin e bahçes së tij atje në Çamëri, pa llogaritur ambientin aspak miqësor të provuar nga administrata greke, që nga marrja e vizës e deri tek sporteli në fjalë, duket se dhjetori s’mund të mjaftojë.

E megjithatë, shqetësimi bazë për mendimin tim nuk është as ky. Kryesorja në këtë çështje mbetet tërheqja, servilizmi e konformizmi i organeve tona shtetërore, të cilat edhe në këtë rihapje të debatit, preferojnë të heshtin, udhëhequr thjesht nga llogaritë e tyre të vogla personale politike. Hallall misionin dhe ndjeshmërinë kombëtare!

Këtë javë u rrit sërishmi tensioni politik në kampin e majtë, tension që reflektohet kryesisht në raportet midis PS-së dhe LSI-së. Duket se ligji elektoral imponon futjen në zgjedhje në formë koalicioni. Duket qartë se loja është për përcaktimin e forcës lider të koalicionit që në këtë rast LSI-ja kërkon të marrë këtë pozicion. Cili është opinioni mbi situatën në kampin e majtë të politikës dhe a mendoni se LSI-ja do të arrijë të marrë pozicionin e liderit të koalicionit të majtë?

Mendoj se në këtë fushë, si majtas edhe djathtas, nuk po ndodh asgjë që t’i interesojë qytetarit. Absolutisht asgjë. Lëvizjet në fjalë nuk më duket se kanë ndonjë lidhje me reformën zgjedhore. Domethënë me një aksion të tillë që synon leximin më të mirë të votës së njerëzve, përfaqësimin sa më të mirë të zërit të tyre, kombinimin e interesave të grupeve të ndryshme të publikut. Ajo që shohim deri tani është manovra dhe marifeti. Publiku është i dhunuar nga bombardimi me terma të cilët askush nuk ndalet t’i shquajë. Fjalë të mbushura me terma shungullonjës: koalicione të hapura e të mbyllura, federata e konfederata. Kush do të dalë në krye? Në krye do të dalë sigurisht ai që luan më mirë manovrën e marifetin. Nëse këto hesape nuk dalin me ligjin ekzistues (që ju thoni se imponon modelin e koalicionit), ju siguroj unë se askush nuk do hezitojë që atë ligj ta ndryshojë, po e lypi nevoja edhe ta masakrojë.

Lidhur me pjesën konkrete të pyetjes, them se zhvillimet në kampin e majtë janë për të ardhur keq. Janë investimi më i mirë për jetëgjatësinë krejt të pamerituar të pushtetit të sotëm, i cili ju siguroj se do të rrijë atje sot e mot, jo sepse po përpiqet vetë, por sepse... nuk e heq njeri. Do ta rrijë ngaqë në Shqipëri nuk ka presione pozitive që të mbledhin rripat. Këtu mungon jo vetëm opinioni publik (i cili gëlltit çdo dhunim, madje rizgjedh tamam dhunuesin), por edhe vetë oponenca politike. E majta nuk do të kuptojë se nëse e ka seriozisht aspiratën për zëvendësimin e kësaj qeverisje me një tjetër më të mirë, këtë tani (në vitin elektoral), s’mund ta bëjë duke rreshtuar ca shifra e kritika, por duke u bashkuar për zgjedhjet. Ndryshe, nëse secili lider projekton një koalicion të vetin, të paktën njëri koalicion i majtë nuk e ka seriozisht me “largimin e Berishës”. Por edhe në e pastë të sinqertë inatin, s’mund ta ketë të mjaftë takatin.

Këtë javë u zhvillua në Prishtinë konferenca "Kosova dhe bota arabe" e organizuar shoqëria civile. Në këtë takim referuan intelektualë nga vende të ndryshme arabe. Takimi ka pasur si shkëndijë të organizimit të vet zhgënjimin e të gjithë shqiptarëve në mbarë botën të cilët shpresonin se vendet arabe do ta njihnin në bllok shtetin e ri të Kosovës. Shqipëria është anëtare e Lidhjes Islamike që në vitin 1989. Që nga momenti i anëtarësimit dhe deri sot prezenca jonë në këtë organizatë është justifikuar pikërisht me nevojën për një njohje en block të Kosovës nga vendet arabe. Për këtë qëllim vendi i ynë ka pranuar të paguajë edhe koston e anëtarësimit. A mendoni se ndoshta ka ardhur momenti që vendi ynë ta rishikojë pozicionin e vet në këtë organizatë?

Dy korrigjime të vogla. Së pari, anëtare e organizatës së Konferencës Islamike Shqipëria u bë në vitin 1992. Ka ndodhur nën qeverisjen e parë të Partisë Demokratike. Kujtoj se ky hap asokohe nuk është se kaloi aq lisho. Pati jo pak tensione të brendshme dhe hezitime, së paku në kupolën e shtetit e qeverisë. Së paku në trekëndëshin President-Kryeministër-ministër i Jashtëm. Në fund u bë vullneti i më të fortit dhe i forti dihet kush ishte. Po ai që është sot. Dhe duket po ai që do të jetë edhe nesër, sepse ne të fortin e respektojmë fort si popull. Edhe nëse ai vetë na kërkon të tërhiqet ne do ta gjejmë, do ta marrim në krah e do të vëmë mbi kokën tonë. Nejse, ky është muhabet tjetër. A u bë mirë apo keq asokohe? Kjo lidhet me korrigjimin e dytë që dua t’ju bëj në pyetjen tuaj. Sepse sipas meje, nuk ka qenë Kosova motivi i vetëm e as i parë për këtë anëtarësim tonin. Ende as që bëhej fjalë për Kosovë - shtet të pavarur siç është sot, dhe politika jonë s’ka treguar ndonjë aftësi për t’u paraprirë ngjarjeve. Motivi kryesor nga u nis lidershipi shtetëror i asaj kohe (gjithnjë sipas meje) ishte ekonomik. Mendjet e udhëheqësve tanë ishin top me idenë që bota arabe përbëhet vetëm nga “sheikë” që s’dinë ku t’i çojnë paratë, që mezi presin t’u afrohet ndonjë “vëlla i ri mysliman” që t’ia mbushin duart e xhepat sa të çuditet edhe vetë. Një shpresë edhe më e madhe ishte për investimet direkte. Dominonte mendimi se vendimi i një investitori islamik për investime në një vend të huaj, s’mund të bazohej veçse në motive... islamike. Vetëm më vonë pamë se biznesi “islamik”, sa i përket motivit dhe analizës së faktorëve për investimin, nuk bënte asnjë dallim nga ai i çdo vendi tjetër, që edhe për forcë lëvizëse kishte vetëm fitimin dhe se nuk do të investonte asnjëherë në asnjë bankë, në asnjë minierë e asnjë hidrocentral, nëse projekti nuk do t’i dilte me leverdi për atë vetë. Realiteti i sotëm është shumë zhgënjyes edhe në këtë drejtim. Përveç disa ndihmash qeveritare nga shteti kuvajtian (kryesisht mes Fondit Kuvajtian të Zhvillimit, pra jashtë suazës së Konferencës Islamike), një hoteli serioz privat rrëzë parkut të vetëm të Tiranës (Sheratonit) si dhe një banke pjesërisht malajziane, në 16 vjet të “vëllazërimit” tonë në OKI, nuk ka asgjë serioze për t’u përmendur në fushën ekonomike. Fakt është që në kulturën islame dhurata është e bekuar dhe e inkurajuar, por kjo në rastin e Shqipërisë nuk i kaloi caqet e dhuratave në rang shoqatash, ose shumë-shumë, ca peshqesheve private për dinjitarët. Gjëra që gjithsesi s’mund të jenë një justifikim për anëtarësime me efekte e interpretime të tilla, sepse në fund të fundit, sado që askush nga partnerët tanë të mëdhenj perëndimorë s’e ka shfaqur ndonjëherë këtë zyrtarisht, kam përshtypjen se është reflektuar në një masë të caktuar (sado të vogël) në mbështetjen e tyre, ose së paku në hezitimin e tyre. Një efekt i pritshëm ky po të kemi parasysh hartën e Organizatës së Konferencës Islamike. Shiheni atë hartë dhe do të shihni se gjithë Konferenca shtrihet thuajse ekskluzivisht në Azi dhe në Afrikë. Për më tepër, nëse lemë mënjanë Turqinë, Shqipëria është i vetmi vend evropian anëtar i saj. Ndoshta ky ka qenë edhe shkaku i gjykimit tonë atëherë. Edhe Bosnja ku njerëzit asnjëherë nuk kanë pushuar së faluri sinqerisht pesë herë në ditë, nuk është bërë ende anëtare e Konferencës Islamike. Preferon të ruajë statusin e vëzhguesit. Njëlloj fjala vjen (besoni apo nuk besoni?!!) si... Rusia. “O burra!” - thamë ne atëherë, - të bëhemi të parët anëtarë evropianë”, - që të përfitojmë të parët nga pasuria arabe. Menduam se kështu mund ta kompensonim atë gafën e 1974-ës ndaj ftesës së gjermanit Shtrauss për t’iu bashkuar Perëndimit. Hezituam atëherë, po nuk do hezitojmë tani. Efekti kësaj here: një vërë në ujë. Askush nuk mund ta thotë me saktësi nëse përfituam më shumë sesa na kushtoi kjo punë. Për mua personalisht përgjigja është e qartë. Historia e mësipërme e “bumit të investimeve” që priteshin e s’u bënë kurrë, mjafton e tepron për të konkluduar mbi efektin. Kjo ishte e lexueshme për të gjithë. Si për mua, ashtu edhe për kryeparlamentaren Topalli, e cila megjithatë, këtë vit iu vërsul rishtas botës arabe – sikur të mos e dinte historinë, sikur të mos e dinim të gjithë se i vetmi efekt që do të merrnim prej andej do të ishin shumë-shumë vetëm disa kuti dhuratash personale që kultura arabe e islamike i inkurajon aq fort sa që i ka futur edhe në protokollin shtetëror. Por edhe “pritësit” nuk kanë refuzime. Që të gjithë i pranojnë gjithë qejf në fakt., myslimanë e katolikë qofshin. Prandaj dhe kthehen aq buzagaz në aeroporte. Mendoj se edhe motivi i “njohjes së Kosovës” ishte thjesht një justifikim për udhëtimet e zgjatura të zonjës. Asgjë më tepër. Faktet e sotme po tregojnë se jo që “en block” nuk po ndodh ndonjë njohje masive nga “vëllezërit tanë të një feje”, por kjo nuk po ndodh as “veç e veç”. Plogështia dhe hezitimi i komunitetit të Konferencës Islamike në njohjen e pavarësisë së Kosovës, mund të zhgënjejë shumë njerëz që nuk i dinë historitë. Por jo ne të tjerëve. As zotin Berisha e as zonjën Topalli, sigurisht.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›