E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti dhe bashkëpunimi ndërmjet PS dhe LSI

Kohët e fundit shtypi i shkruar iu ka kushtuar një vëmendje të posaçme zhvillimeve brenda kampit të majtë, sidomos përplasjeve PS-LSI. Madje, disa analistë nuk kanë nguruar t’i etiketojnë këto zhvillime edhe si tentativa ndërmjet subjekteve politike, për të siguruar lidershipin apo shumicën në këtë kamp.

Vlen të ndalemi në identifikimin e arsyeve që kanë prodhuar këto konflikte ose bashkëpunime në momente të caktuara ndërmjet tyre. Pavarësisht se konflikti dhe bashkëpunimi konsiderohen si aspekte normale në marrëdhëniet e ndërtuara brenda subjekteve politike, kur vjen problemi tek ruajtja e kohezionit brenda një subjekti apo kampi në përgjithësi, perceptimi ndaj konfliktit është shumë negativ. Madje, të krijohet ideja se vetëm bashkëpunimi garanton kohezion të brendshëm dhe rezultat pozitiv në zgjedhje, ndërsa konflikti prodhon përçarje dhe vështirësi në sigurimin e shumicave të nevojshme për qeverisje.

Por po t’iu referohemi sociologëve të njohur, të cilët janë marrë me natyrën e konfliktit, kanë argumentuar disa aspekte pozitive që burojnë prej tij. Levis Koser shpjegon se konflikti në shumë raste shërben për të ridimensionuar normat dhe lidhjet e pushtetit brenda grupeve, në përputhje me nevojat që shprehen nga anëtarët ose nëngrupet e saj. Por që të realizohet kjo gjë, sigurisht nevojitet një strukturë e konsoliduar, e cila duhet të jetë e gatshme që t’iu bëjë ballë kërcënimeve të vazhdueshme që vijnë nëpërmjet konflikteve.

Në përgjithësi partitë politike që karakterizohen nga një demokraci e brendshme arrijnë të ndërtojnë sisteme të tilla, ku tolerohen ose institucionalizohen konfliktet e niveleve të ndryshme. Mekanizmat e ndërtuara brenda këtyre partive në momentin kur përballen me elementë konflikti fillojnë të veprojnë si “valvula sigurimi”, duke siguruar mundësi përmbushje të kërkesave, që e kanë krijuar këtë konflikt. Por në momentin kur këto mekanizma nuk arrijnë të ofrojnë zgjidhje për kërkesat e pretenduara, atëherë mekanizmi pushon së funksionuari.

Për të analizuar dobishmërinë e strukturës duhet të njohim natyrën e konflikteve. Themi konflikt për arsye se në parim çdo tip strukture përballet me konflikte të natyrave të ndryshme, ku individët dhe nëngrupet brenda një subjekti politik herë pas here nxjerrin pretendime për prestigj, apo pozicione pushteti. Në këto rrethana, i rëndësishëm mbetet fleksibiliteti që tregon struktura e ndërtuar për t’iu bërë ballë këtyre pretendimeve, të cilat mund të shërbejnë si burim konflikti.

Në këtë kontekst shtrohet pyetja: Si është ndërtuar struktura brenda së majtës dhe si po funksionojnë mekanizmat në përballimin e konflikteve ndërmjet PS dhe LSI?

Në planin historik mund të themi se sa herë që konfliktet ndërmjet këtyre dy forcave politike kanë buruar si pasojë e përplasjeve të ideve ose interesave dhe nuk kanë rënë ndesh me qëllimin final mbi të cilën këto subjekte politike apo koalicione janë themeluar, aq herë është shfaqur toleranca si mënyre reagimi dhe stabilizimi. Kujtojmë bashkëpunimin për zgjedhjet lokale të 2007-s, zgjedhjen e Presidentit e një sërë nismash të rëndësishme parlamentare ku vendin e pretendimeve, përplasjeve për pushtet dhe influenca individuale e kanë zëvendësuar toleranca, koalicioni si të vetmet instrumente për të përmbushur qëllimin e përbashkëta. Por nga ana tjetër, sa herë që këto dy forca politike nuk kanë ndarë të njëjtin interes elektoral, pushteti apo influence, antagonizmi ndërmjet tyre është thelluar, duke nxjerrë në pah idetë ose interesat mbi të cilën ky subjekt politik apo koalicion nuk mund të funksionojë më.

Parashtrojmë pretendimet e LSI ndaj ndryshimeve për formulën e sistemit zgjedhore, mënyrën e drejtimit nga z. Rama të Partisë Socialiste, bashkëpunimi me lidershipin e mazhorancës për afera të ndryshme korruptive, si dhe raportet e vendosura me partitë aleate për të kuptuar qëndrimin e LSI-së. Gjithashtu, PS duke zgjedhur tipin e sistemit zgjedhor, mënyrën e rikonceptimit të aleancave parazgjedhore dhe ndjekjen e manovrat mediatike për ta trajtuar LSI si një parti që kërkon të mbajë Berishën në pushtet tenton të zbehë rolin e kësaj partie në kampin e majtë.

Në këto kushte, për sa kohë pretendimet e shprehura nga palët do të vazhdojnë të zëvendësojnë qëllimin mbi të cilin janë ngritur bashkëpunimet ndërmjet tyre, pa dyshim konflikti do të thellohet duke ofruar një situatë dypolare brenda së majtës. Ky konflikt do të ketë efektet e saj. Në radhë të parë do të ndikojë tek lëvizjet e partive të vogla brenda dhe jashtë spektrit për të ndërtuar aleanca me këto dy pole. Së dyti, formimi i dy poleve mund të përqendrojë më mirë votuesin e majtë, i cili në kushte e sistemit proporcional mund të ofrojë një rezultat të favorshëm për të majtën në përgjithësi. Së treti, argumentet që do të mbajnë të gjallë këtë konflikt ndërmjet PS dhe LSI gjatë fushat zgjedhore mund të përsërisin rezultatin e zgjedhjeve të 2005-s.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›