E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi si aspiratë kombëtare



Në një analizë të ditëve të fundit BBC-ja parashikonte se Shqipëria do të bëhet pjesë e familjes evropiane në vitin 2015. Dhe sillej si argument i vetëm lufta jo eficente kundër korrupsionit. Në të vërtetë, në një analizë më të detajuar, integrimi është thjesht një çështje vullneti politik dhe jo “çështje korrupsioni”. Korrupsioni, në rastin më të keq, është një simptomë administrative sporadike, një imazh mediatik dhe fare pak i dokumentuar, që nuk ka të bëjë me idetë dhe aspiratat e një populli të tërë. E keqja më e madhe në Shqipëri është se politikat demokratike duket se po shndërrohen dita-ditës në një biznes të specializuar të një numri shumë të vogël politikanësh, ekspertësh dhe servilësh civilë që nuk janë të aftë të ndryshojnë zakonet dhe të rrokin prioritetet që na ofrohen. Në klubin evropian mund të hyjë vetëm ai që ka një biletë të vlefshme. A e kemi ne një biletë të tillë? Mes nesh dhe Evropës së bashkuar ekziston ende një perde e kadifenjtë kulturore. Ende nuk janë zhdukur kufijtë ideologjikë me Evropën, nuk janë dënuar krimet e komunizmit dhe nuk janë dekonspiruar agjentët e Sigurimit famëkeq të Shtetit. Pra ende nuk është realizuar përtëritja morale e shoqërisë, gjë që ka sjellë një krizë të stërzgjatur identiteti e legjitimiteti, kundrejt shtetit të se drejtës dhe bashkësisë politike. Nga kjo ka buruar edhe kriza e legjitimitetit politik, e cila nuk është mbështetur sa duhet mbi kulturën politike të të drejtave të njeriut, të shtetit juridik dhe të demokracisë. Përpara kësaj do duhej pa dyshim të ktheheshin mbarë çrregullimet e rënda ekonomike, do të duhej të ulej qafa dhe të pranohej një disiplinë e hekurt tregu dhe kapitali. Ende na mungon një ansambël garancish dhe normash rregulluese, që u mbyllin shtegun lajthitjeve leniniste, siç ishte edhe veproi për 17 vjet ligji i tokës nr. 7501. Rruga drejt Evropës pa zgjidhur problemin e pronës, nuk do të na çojë veçse në një udhë pa krye. Po refuzohet logjika ekonomike evropiane. Këtë e ka dëshmuar dhe e dëshmon ngërçi në ekonominë e vendit, veçanërisht në bujqësi dhe investime. Kjo ka bërë që të jemi totalisht të varur nga ekonomitë fqinje dhe, për paradoks, t’u marrim dorën fqinjëve edhe në shumë aspekte të politikes së jashtme. Integrim do të thotë pikërisht dalje nga ky izolim, shmangie e këtij instinkti të imponuar dhe hileqar ndërvarësie, për t’iu nënshtruar një konkurrence evropiane, për t’iu përshtatur rrethanave të reja të një gare dhe bashkëpunimi në harmoni e paqe, për t’i dhënë formë qytetërimit tonë të ri, në përputhje me frymën tonë të mirëfilltë. Ne duhet të ndërtojmë themelet e një realiteti që ndërtohet progresivisht, duke guxuar të hyjmë në një rruge të re, duke përmbushur përgjegjësitë tona njerëzore, duke iu përmbajtur ligjeve dhe normave të së drejtës dhe jo duke fabrikuar ligje antikushtetuese si ai i legalizimit, pa zgjidhur më parë problemin madhor të pronave. Tani që tokat e përfituara padrejtësisht nga ligji 7501 janë shitur disa herë, është kërkuar heqja e “njollave të kuqe” të këtij ligji, duke e pezulluar atë. Një kthesë 180-gradësh në emër të kauzës amorfe të legalizimit, e shoqëruar me deklaratën e bujshme se do të shtohet masa e kompensimit për pronarët e ligjshëm. Pa përshtatur me koherencë dhe zhdërvjelltësi legjislacionin e pronës, çështja përsëri mbetet pezull. Vendi nuk mund të zhvillohet e integrohet pa vlerësimin maksimal të tokës. Po jetojmë në kohëra përgjegjësish të mëdha, ndaj nuk duhet të tallemi as me pronarët, as me ata që kanë zaptuar tokat e tyre. Duhet të gjykojmë si ekspertë dhe të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme. Në vështrimin e Ballit Kombëtar Demokrat, prona është vetë atdheu. Është në interes të shqiptarëve që pronarët të jenë zotër të pronës së tyre, është në interes të Shqipërisë të jetë zonjë e fatit të vet. Dhe fati i saj ka qenë historikisht proevropian. Prandaj integrimi është një detyrë e çmueshme konstruktive për të siguruar mbijetesë dhe zhvillim të qëndrueshëm kombëtar. Prej integrimit evropian nuk mund të lindë kurrë një komb evropian, por ama kombi shqiptar duhet të rilindë, gjithsesi. Mbikombëtarja evropiane mbështetet vetëm mbi themele kombëtare. Për këtë duhet një lulëzim i ri i energjisë kombëtare, i ngjashëm me frymën që ka ushqyer historikisht nacionalizmi shqiptar, i lindur nga aspiratat humane properëndimore të shqiptarëve. Prandaj ne e shohim procesin e integrimit si shprehje të detyrës qytetare. Politika e bashkëpunimit evropian nuk ka qenë në asnjë rast në kundërshtim me frymën dhe idealin politik të Ballit. Koncepti i Evropës së Bashkuar nuk i fshin kufijtë etnikë e politikë. Ata janë të dhënë nga historia. Evropa përpiqet t’u heqë këtyre kufijve armiqësinë e papajtueshme, që të kthehen në vija kontakti për shkëmbime materiale dhe kulturore, për plotësimin e aspiratave të reja të popujve. Prandaj integrimi plotëson edhe aspiratën tonë kombëtare, na ringjall ndjenjën patriotike, për sa kohë jemi një komb i copëtuar, për sa kohë jemi të kërcënuar në ekzistencën dhe pavarësinë tonë, për sa kohë fqinjët na sillen shpeshherë si kundërshtarë e si armiq. Integrim do të thotë të mbrosh identitetin tënd, në emër të ndryshueshmërisë kulturore, si burim pasurimi i pashtershëm. Ndoshta kjo është arsyeja që rilindasit tanë të shquar e quanin veten evropianë, që ithtarët e Mithat Frashrit ishin vizionarë të një Shqipërie të bashkuar në një Evropë të bashkuar dhe luftuan derisa mbyllën sytë për këtë ëndërr, që e varrosi për gati 50 vjet tradhtia komuniste e Mukjes. Prandaj shërbimi ndaj procesit të integrimit është detyrë, njësoj si detyra që na dikton besnikëria ndaj kombit. Ndaj duhet të adoptohemi dhe të lëvizim në këto ndryshime me besim dhe kurajë. Tashmë është e qartë për të gjithë se vetëm një kuptim i ri i identitetit kombëtar solli procesin demokratik në Evropë. Shqipëria ka rrënjët e veta, ka një “gjenealogji”, një kujtesë etnike historike dhe nuk është përcaktuar vetëm nga shpresat dhe interesat e momentit. Kësisoj Evropa nuk mund të jetë veçse një përftim i frymës sonë, i vullnetit tonë progresiv. Dhe fryma jonë nuk mund të jetë veçse një aspekt i qenies sonë kombëtare.

Kësisoj integrimi kërkon jo thjesht programe qeveritare, por kombëtare. Gjithashtu kërkohen marrëveshje të sinqerta dhe largpamëse mes forcave më të rëndësishme politike. Veprimet tona duhet të jenë globalisht të orientuara, të rrënjosura dukshëm në realitetin dhe mundësitë e së tashmes. Duhet pranuar se ka dhe kufizime në aftësitë politike të vendimmarrësve, por çmimi i integrimit nuk paguhet vetëm nga administratat kombëtare dhe institucionet evropiane. Me nxitjen e aftësive personale dhe potenciale, ne mund të mbledhim plot energji dhe të lëvizim drejt Evropës si individë dhe si bashkësi me vizion të qartë, të realizueshëm dhe me besim se mjaft gjëra nuk mund të realizohen pa pasion, pa tension. Nuk kemi arsye të mendojmë se kemi gabuar. Me një qeverisje surprizë, të djathtët e kryesuar nga zoti Berisha po përpiqen të mësojnë nga gabimet dhe të shkojnë përpara duke shpejtuar proceset, me prioritete të reja dhe përqasje të vëmendshme, po kujdesen të krijojnë një ansambël garancish e normash rregulluese, që shpresojnë t’u mbyllin shtegun lajthitjeve të një lirie pa fre, që sunduan në këtë tranzicion të gjatë e të lodhshëm. Shqipëria po kërkon vetveten. Ajo e di se të ardhmen e vet e ka në duart e veta. Kurrë s’ka qenë kaq afër cakut. Zoti e bëftë mbarë që të mos i ikë ora e fatit, shansi i fundit i saj!

*Kryetar i PBK-së

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›