E Shtunë, 31 Tetor 2026

FAO "mbledh" botën për urinë

Kombet e Bashkuara thirrën me urgjencë një takim të liderëve ndërkombëtarë në lidhje me masat që duhen marrë për të zgjidhur krizën e rëndë të ushqimit që ka përfshirë botën, nga e cila rrezikohen të vdesin urie 1 miliard njerëz. Dy nga masat që duhen marrë urgjentisht për të normalizuar situatën janë ulja e barrierave të tregtisë dhe heqja e ndalimit të eksporteve. "Nuk ka asgjë më degraduese se uria, veçanërisht kur kjo shkaktohet nga njeriu për njeriun", deklaroi në fjalën e tij Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun. Ndërkohë, kreu i FAO-s, Organizata e Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara, që është edhe organizatorja e këtij takimi, deklaroi se vendet e pasura kanë shpenzuar dhe shpenzojnë miliona dollarë në subvencionet e fermerëve, apo për blerjen e armëve. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore dhe agjencive të ndryshme, rritja e çmimeve të ushqimeve do të rrisë shumë shpejt numrin e personave që vdesin urie në 100, ndërkohë që aktualisht në gjendje të rëndë janë 850 milionë vetë. Ban vlerësoi se furnizimi me ushqime duhet të rritet në masën 50% deri në vitin 2030, për të përballuar kërkesën gjithnjë në rritje. "Disa vende kanë marrë masa duke limituar eksportet, por veprime të tilla shkaktojnë rritje të menjëhershme të çmimeve të produkteve të ndryshme në tregjet ndërkombëtare. Unë u bëj thirrje të gjitha vendeve që kanë marrë masa të tilla, që të heqin dorë nga kjo politikë dhe të lirojnë eksportet", deklaroi Sekretari i OKB-së. Sipas vlerësimit të agjencive të ndihmave, Japonia dhe Kina kanë kontribuar në rritjen e çmimeve në nivele të tilla, pasojë e të cilës nuk është vetëm shtimi i urisë, por edhe i stabiliteti i vendeve të varfra ku kanë plasur revoltat e protestat. Presidenti i Japonisë premtoi se do të lëshonte 300 mijë tonë oriz. Takimi i Romës do të jetë vendimtar edhe për vendosjen e temave që do të diskutohen në takimin e G8, që do të zhvillohet muajin e ardhshëm në Japoni. Ndërkohë, të gjithë pjesëmarrësit kanë ofruar propozimet e tyre. Sipas ministrit britanik të Ushqimit, Bashkimi Evropian duhet që të ndihmojë në reduktimin e çmimeve të ushqimit përmes reformimit të politikave të fermerëve, që u kushtojnë konsumatorëve 40 miliardë euro në vit. Ai tha se nuk e kuptonte se si ishte e mundur që Bashkimi Evropian mund të justifikonte mbajtjen e çmimeve shumë më të larta se tregjet botërore, ndërkohë që kjo ka nisur të ndihet shumë në xhepat e evropianëve. Kostoja e pjesës më të madhe të produkteve ushqimore është dyfishuar dy vitet e fundit me orizin e misrin, që mbajnë rekordin. Kjo ka provokuar protesta dhe rebelime. Një tjetër çështje është edhe ajo e përdorimit të drithërave për biokarburante. Në krye të vendeve që prodhojnë më shumë ethanol janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Brazili. SHBA planifikon që një të katërtën e prodhimit të misrit ta përdorë për biokarburant deri në vitin 2022, ndërsa Bashkimi Evropian i ka vënë vetes objektiv që 10% e karburanteve deri në vitin 2020 të jetë bio. Takimi do të zgjasë tri ditë dhe deri në fund të tij pritet të dilet me një vizion konkret për marrjen e masave të përmirësimit të situatës së rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›