Liderët kanë hequr dorë nga ushqimet luksoze
Kanë shkuar për të zgjidhur hallet e urisë, por sigurisht do të hanë dhe vetë, të paktën në një rast të tillë, kur flitet për miliona të vdekur për bukën e gojës. Zotërinjtë e botës duhet të respektojnë fatkeqësinë me një meny më modeste nga ajo që ua do sëra. Të paktën me këtë meny askush nuk do t‘i akuzojë për hipokrizi. Kështu, karkalecat e detit me salcat pikante, apo mishrat e ndryshëm e pijet e shtrenjta janë zëvendësuar, të paktën për 3 ditë, me makaronat, djathin e spinaqin. Në takimin e fundit të këtij niveli për temën e krizës në botë, menyja kishte qenë jashtëzakonisht e bollshme dhe kjo kishte shkaktuar kritika të ashpra në adresë të tyre në shtyp. Në fakt, mes dy takimeve kishte një ndryshim të madh. Ndërkohë që ai i vitit 2002 kishte për qëllim ndërmarrjen e politikave për reduktimin në maksimum të varfërisë deri në vitin 2015, takimi aktual synon marrjen e masave për daljen nga kriza e ushqimit. Pavarësisht se menytë do të jenë disi më modeste, vendet ku liderët do të konsumojnë vaktet e tyre janë ndër më të shtrenjtët e Romës, kryeqytetit italian, ku po organizohet takimi i FAO-s. Në banketin përfundimtar që do të organizohet nga i zoti i shtëpisë, Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni, nuk janë të ftuar dy nga pjesëmarrësit, Mugabe i Zimbabvesë dhe Ahmadinexhad i Iranit. Ndoshta ata do të kenë fat më të mirë se të ftuarit e tjerë, që të hanë tri ditë një meny të reduktuar në respekt të të vdekurve nga uria.