FAO: Çmimet, ndalon rritja në tregun ndërkombëtar
Indeksi global i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ushqimin, FAO, nuk ndryshoi në muajin prill, pasi reduktimi i çmimit të sheqerit dhe të orizit amortizoi rritjen që u regjistrua në ushqimet e tjera. Organizata tha se në varësi të ofertës së lëndëve të para ushqimore pritet të ketë edhe një stabilizim të vlerës së këtij indeksi. indeksi ushqimor i FAO-s, me qendër në Romë të italisë, mat ndryshimet mujore të çmimeve të një shporte të ushqimeve, ku përfshihen drithërat, farërat e vajit, produktet e bulmetit, mishi dhe sheqeri. Në muajin prill ky indeks u rrit shumë lehtë në 232.1 pikë, kundrejt vlerës 231 pikë të regjistruar në muajin mars. Në mars indeksi global i ushqimit regjistroi njëkohësisht edhe rënien nga pika më e lartë rekord e prekur në shkurt, pas një serie të rritjes së qëndrueshme në 8 muajt paraardhës. “Zhvlerësimi i vlerës së dollarit në tregjet monetare dhe rritja e çmimit të naftës janë kontribuuesit kryesorë në rritjen e çmimit të lëndëve të para ushqimore dhe në veçanti të drithërave,” tha në raportin e publikuar David Hallam, drejtor i divizionit të FAO-s për tregtinë dhe tregjet. Në këtë raport ai thekson se kërkesa për lëndë të para ushqimore ka një trend të qëndrueshëm në rritje dhe çmimet janë në varësi të sasisë së rritjes së prodhimit dhe sasisë së rezervës që do mbajnë vendet eksportuese. Ndërkohë, vetë organizata ka paralajmëruar për një stabilizim të prodhimit për shkak të një parashikimi të mirë për kohën dhe për rritje të paktën me 3.5% të prodhimit botëror të drithërave.