Qeveria pas zgjedhjeve të shlyejë borxhin 40 mln euro
Ndërtuesit i kërkojnë qeverisë që pas zgjedhjeve vendore të 8 majit, të gjejë mënyrën për të shlyer 40 mln euro të prapambetura që u detyrohet ndërtuesve për veprat publike. Sipas tyre, nëqoftëse qeveria nuk do t’i shlyejë ato, deri në fund të vitit 2011, së bashku me ndërtimet elektorale që janë duke u bërë gjatë kësaj fushate, borxhi ndaj ndërtuesve do të arrijë shifrën e më shumë se 70 mln eurove. “Qeveria, duke thelluar borxhin ndaj ndërtuesve, zbraz arkën dhe thellon krizën në këtë sektor. Prandaj i kërkojmë qeverisë, që menjëherë pas zgjedhjeve vendore të marrë masa dhe të gjejë një mënyrë për shlyerjen e pagesave të firmave të ndërtimit që kanë punuar në veprat publike të tenderuara dhe që nuk janë paguar ende, por po vazhdojnë të punojnë sërish edhe në veprat elektorale” - u shpreh ilir Hebovija, zëvendëskryetar i Shoqatës Kombëtare të Ndërtuesve të Shqipërisë. Ndërkohë që ndërtuesve nuk u janë shlyer nga qeveria 40 mln euro, ata janë tenderuar sërish dhe janë duke punuar në veprat publike, të cilat po përurohen ditë pas dite gjatë fushatës aktuale për zgjedhjet e 8 Majit. Ndërsa një shumë prej 5 mld lekësh iu kthye ndërtuesve të veprave publike, nëpërmjet një akti normativ që u miratua nga Kuvendi në seancën e parë plenare për vitin 2011, në janar. Por, sipas të dhënave zyrtare, qeveria u detyrohet atyre në total 200 mln dollarë, të akumuluara për punimet e kryera. Sipas Projektit Akt Normativ, me anë të ët cilit u urdhërua pagesa prej 5 mld lekësh ndërtuesve, investimet me financim të brendshëm u rritën me rreth 5 miliardë lekë, të cilat u alokuan për Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, në programin “Rrjeti i Rrugëve Nacionale”. Këto fonde shtesë u akorduan si pasojë e realizimit në masën 99% të fondeve të investimeve me financim të brendshëm në këtë program dhe avancimit të punimeve në disa projekte në vazhdim, përtej parashikimeve për këtë periudhë. Nga ana tjetër, ndërtuesit e vlerësuan këtë nismë të qeverisë si shumë të rëndësishme, por, sipas tyre, është e pamjaftueshme. Ndërtuesit shprehen se kjo shumë shërbeu për shlyerjen e nënkontraktorëve dhe kredive të marra. “Ne duam shlyerjen totale prej 200 mln dollarësh. Në të njëjtën kohë druhemi, sepse ky është një vit elektoral dhe ka shumë nisje të reja të veprave publike dhe borxhi do të thellohet. Ne kërkojmë seriozitet nga ana e qeverisë, që për veprat publike të sigurojë fonde publike. Ne kemi frikë sepse veprat e reja nuk do të përballohen dot, as nga pushteti vendor dhe as nga ai qendror” - u shpreh ilir Hebovia, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Ndërtuesve. E si rrjedhojë, sipas tij, jo vetëm që nuk do të shlyhet borxhi aktual, por ai do thellohet dhe do të rrënojë ndërtuesit. Sipas Hebovisë, afati i fundit që i është lënë qeverisë për shlyerjen totale të borxhit, është qershori 2011. Borxhet e prapambetura të qeverisë ndaj kompanive të ndërtimit nuk kanë vënë në vështirësi vetëm firmat, por edhe subjekte të tjera që lidhen me to. Janë Bankat e Nivelit të Dytë ato që kanë pësuar efektin negativ të mosshlyerjes së detyrimeve, që janë përkthyer në kredi të këqija. Kreditë që, sipas tyre, janë me interesa të larta, për shkak të riskut të lartë, kanë ngelur të pashlyera. Pak kohë më parë, shoqata e ndërtuesve i ka kërkuar qeverisë që të hyjë garant te bankat, ose me saktë, të negociojë për të kompensuar interesat, deri në derdhjen e borxheve në llogaritë e kompanive.