Greqia do të dalë nga eurozona, takohen Ministrat e BE-së
Një takim i mbyllur i ministrave të Financave të eurozonës për krizën e borxheve në Greqi përfundoi pa rezultate konkrete. Portali "Spiegel Online" raportoi më parë se Greqia po shqyrton mundësinë e daljes nga eurozona. Ministrat e financave të Gjermanisë, Francës, Spanjës, italisë si dhe përfaqësues të Komisionit të BE-së, kanë zhvilluar konsultime për Greqinë në krizë të thellë borxhesh. Luksemburgu dhe Franca ishin vendet që thirrën takimin informal. Për shkak se kohët e fundit është debatuar mjaft ashpër për krizën e borxheve greke, ministrat donin të konsultoheshin drejtpërdrejt për "situatën aktuale", bëri të ditur para mediave drejtuesi i eurozonës, kryeministri i Luksemburgut, Jean -Claude Juncker. Greqia nuk ka ndërmend të dalë nga eurozona
Shefi i eurogrupit, Jean-Claude Juncker, pas takimit në Luksemburg tha se nuk u diskutua për nxjerrjen e Greqisë nga eurozona. Gjithashtu u përjashtua edhe një ristrukturim i mundshëm i borxhit të saj, për të cilin ishte folur në tregjet financiare. Krahas Greqisë janë diskutuar edhe një sërë temash të tjera, tha Juncker. Kundër zërave se Greqia po bën përgatitje për daljen nga eurozona, foli edhe anëtari i bordit të Bankës Qendrore Evropiane, Erkki Liikanen. Ministri grek i Financave Jorgos Papakonstantinu, i cili mori gjithashtu pjesë në takimin e krizës, theksoi se qeveria e tij do të zbatojë plotësisht programin e kursimeve, për të cilin ka rënë dakord me FMN dhe BE. Portali i lajmeve "Spiegel Online", kishte njoftuar më parë se Greqia po konsideron daljen nga bashkimi monetar evropian. Si pasojë të premten (06.05.) pati një rënie të përkohshme të kursit të euros prej më shumë se 2 cent në krahasim me nivelin maksimal ditor. Greqia si vend me borxhe tepër të larta po mbështetet nga kredi të BE-së dhe FMN-së me një fond shpëtimi prej 110 miliardë eurosh.
Papandreu: Nuk do e braktisim euron
ATHINË- Kryeministri grek Jorgos Papandreu ka hedhur poshtë njoftimet në media se Greqia po shqyrton mundësinë për të dalë nga eurozona. Papandreu jo vetëm që mohoi këtë lajm, por madje tha se nuk ka patur as diskutime zyrtare lidhur me këtë gjë. Kryeministri grek kërkoi që Greqia të lihet e qetë në këtë situatë të vështirë ekonomike me të cilën po përballet. “Këta skenarë janë kriminal përtej kufijve. i bëj thirrje të gjithëve në Greqi dhe jashtë, vecanërisht në BE, që ta lini Greqinë të qetë të bëje punën e saj”- tha Papandreu. Pavarësisht paketës ndërkombëtare të shpëtimit prej 110 miliard euro Greqia, e cila bën pjesë në zonën euro që nga viti 2001, nuk ka mundur të reduktojë deficitin e saj buxhetor sic pati premtuar. Një ditë më parë e përditshmja gjermane Der Spiegel publikoi lajmin sipas së cilës, Greqia po shqyrton mundësinë për të dalë nga eurozona dhe të rivendosë monedhën vendase dhraminë. Lajmi shkaktoi rënien e euros me 1 përqind kundrejt dollarit në bursat europiane.