E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet vendore, asnjë ndikim në kursin e këmbimit

Zgjedhjet vendore të 8 Majit nuk shënuan asnjë ndikim në tregun valutor të brendshëm. Tregu valutor është paraqitur i qetë dje, si nga ndikimet e jashtme, ashtu edhe nga ndikimet e brendshme. Duke iu referuar kursit zyrtar të këmbimit valutor të Bankës së Shqipërisë, një euro është këmbyer dje me 142, 29 lekë, ndërsa një dollar me 97,80 lekë. Kurse, sipas agjencive të këmbimit valutor në kryeqytet, tregtimi i euros dhe dollarit është paraqitur në të njëjtat kuota të javës së fundit, duke mos u ndikuar nga zgjedhjet vendore. Agjencitë e këmbimit valutor kanë raportuar se një euro është tregtuar dje në kuotat e 143 lekëve dhe një dollar në kuotat e 98 lekëve. Në këtë mënyrë, sipas tyre, monedha vendase lek nuk është tronditur nga zgjedhjet dhe konsumi i përditshëm ka qenë normal, gjithashtu edhe çmimet e produkteve bazë kanë shënuar të njëjtat shifra të ditëve të fundit. Në këtë mënyrë, sipas agjentëve valutorë në kryeqytet, tregu i këmbimit valutor u trondit gjatë fushatës për arsye të shpenzimeve që u bënë për këtë qëllim, duke bërë që një euro të tregtohej në rekordin e saj të viteve ët fundit me 143 lekë. Kështu, sipas tyre, nuk pritej që në ditën e zgjedhjeve të kishte ndonjë luhatje në këtë treg. Sipas ekspertëve të ekonomisë, pas zgjedhjeve pritet një stabilizim i tregut të brendshëm valutor. Ata parashikojnë që euro të pësojë një rënie të lehtë të vlerës dhe leku të vlerësohet më shumë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›