FBI heton dyshimet për përgjimet në SHBA

FBI ka nisur hetimet në lidhje me pretendimet se “News Corporation” e Rupert Mërdokut ka përgjuar telefonatat e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit 2001 në SHBA.
Lëvizja vjen pasi që një gazetë britanike raportoi të hënën se gazetarët e "News of the World" i kanë ofruar para zyrtarëve të policisë të Nju Jorkut për të siguruar regjistrimet e telefonatave të viktimave të sulmeve terroriste.
Mërdok në javën e kaluar mbylli tabloidin më të shitur në Britani "News of the World," pas skandalit të përgjimit të telefonatave të politikanëve të personave të njohur dhe të ndihmësve mbretërorë në Britani.
Mërdok së bashku me të birin priten të paraqiten në javën e ardhshme para një komisioni parlamentar në Britani në lidhje me skandalin e përgjimit të telefonatave.