E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, ambasadori Riker përfundon sot mandatin

Ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker përfundon sot mandatin e tij të ambasadorit të SHBA-së në Maqedoni ndërkohë që në vend të tij do të jetë diplomati Pol Volers.

Riker do të emërohet në një detyrë të lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, duke u caktuar si zëvendës-ndihmës sekretar amerikan për Evropë dhe Evroazi.

“Më gëzon fakti që edhe me detyrën e re në SHBA sërish do të jem i pranishëm në këtë rajon, mes tjerash në Maqedoni. Kjo nënkupton se do të kem mundësi dhe më tej që t`ju vizitoj dhe gjithmonë do të ndjej se kam miq këtu”, ka deklaruar Riker në takimet lamtumirëse të organizuara me liderët politik, shoqata, institucione arsimore, etj.

Filip Rikeri ishte i njohur për opinionin më të gjerë në Maqedoni nga koha kur ishte përgjegjës për marrëdhënie me opinionin në ambasadën amerikane në Shkup gjatë viteve 1997-1999. Ai ishte zëdhënës personal i ambasadorit Kristofer Hill dhe ishte zëdhënës në negociatat në Rambuje për statusin e ardhshëm të Kosovës.

Gjatë periudhës 2000-2003 ishte zv/zëdhënës i Departamentit të Shtetit, ndërsa më pas ushtroi edhe postin e zv/ambasadorit amerikan në Budapest. Para ardhjes së tij për të dytën herë në Maqedoni ai ishte zyrtar i lartë në ambasadën amerikane në Irak.

Ambasadori Riker ka lindur në Pennsylvania, i diplomuar në universitetin Yale në vitin 1986 me gradën BA, dhe diplomuar me gradën MBA në vitin 1991 në Menaxhimin e Politikave Ndërkombëtare në shkollën " Thunderbird School of International Management".

Ndërkohë detyrën e ambasadorit amerikan në Maqedoni e merr diplomati Pol Volers. Ai në vitin 2006 ka qenë zëvendës-ambasador amerikan në Shkup, ndërsa disa muaj ka qenë ushtrues detyre i ambasadorit, pas largimit të ambasadores Xhilijan Milovanovic. Në periudhën e tij ishte nënshkruar marrëveshja me ish-ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Xhemali Mehazi që ambasada amerikane të blejë tokën në Kala për ndërtimin e ambasadës së re amerikane.

Volers vjen në Maqedoni nga detyra e sekretarit ekzekutiv të Departamentit të Shtetit Amerikan. Ai është emëruar në këtë detyrë me iniciativë direkte të sekretares amerikane të shtetit Hillari Klinton.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›