E Shtunë, 31 Tetor 2026

FBI u bashkohet hetimeve në Bullgari

Autoritetet bullgare njoftuan se FBI i është bashkuar hetimeve mbi sulmin e së mërkurës nga i cili u vranë 9 persona, ndërsa u plagosën më shumë se 33 të tjerë, kryesisht turistë izraelitë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, akuzoi Iranin dhe “bashkëpunëtorin e tij terrorist” Hezbollahun për sulmin në fjalë.

Teherani, ndërkaq, hodhi poshtë këto akuza duke i quajtur “qesharake”.

Bullgaria publikoi të enjtën një video, ku shihet një person që dyshohet të ketë qenë sulmuesi vetvrasës, përgjegjës për incidentin.

Ministri i brendshëm i Bullgarisë, Cvetan Cvetanov, tha se sulmuesi, me një çantë shpine “dukej si çdo turist tjetër”.

Cvetanov tha se i dyshuari dukej të ishte i moshës 26 vjeç dhe se kishte një patentë shoferi falso të shtetit amerikan, Michigan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›