Monstra, Komiteti i Helsinkit konstataton shkelje të rënda
Komiteti i Helsinkit ka konstatuar shkelje të shumta nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Maqedonisë gjatë aksionit të ashtuquajtur “Monstra”, në të cilin u arrestuan dhjetëra shqiptarë të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovc të Shkupit.
Në raportin tremujor komiteti nënvizon në veçanti shkeljen e së drejtës kushtetuese të prezumimit të pafajësisë duke filluar nga vet emërtimi i aksionit, pastaj etiketimi i personave të arrestuar pa pasur një vendim të plotfuqishëm gjyqësor, publikimin e xhirimeve nga MPB dhe pa mbrojtur identitetin e tyre .
Gjatë këtij aksioni, nënvizon më tej Komiteti i Helsinkit dolën në shesh edhe shkeljet ligjore për mbrojtjen e dëshmitarëve siç ishte rasti i Haki Azirit për të cilin 6 ditë me rradhë nuk kishte asnjë informacion se ku ndodhej.
“Rasti tregon se ekziston rrezik real që ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve të keqpërdoret në procedurën para hetimore. Pikërisht në ligj është përcaktuar se dëshmitari mbrojtës mund të jetë personi, i cili, në mënyrë vullnetare do të paraqitet, ndërsa për vendimin e tij, nuk duhet të lajmërohet as avokati e as anëtari i familjes. Pikërisht kjo mundësi lë hapësirë që një person i caktuar nën presion dhe kërcënime policore të nënshkruaj se pajtohet të përfshihet në programin për mbrojtje të dëshmitarëve”, thuhet në raport.
Komiteti gjithashtu ka paralajmëruar ngritjen e iniciativës në gjykatën kushtetuese për disa përcaktime ligjore të ligjit të ri për lustracionin. Komiteti në raport thekson se vlerësimi i tyre për ndrydhjen e lirisë së mediave nga ndikimi i partive politike në politikën redaktuese u vërtetua edhe në raportin e Freedom House.
Komiteti vlerëson se marrëveshja për dekriminalizim e shpifjes duhej të kishte karakter të debatit të gjerë publik me përfshirjen e sektorit qytetar dhe profesional.