Avokati i Popullit padit shefin e policisë së Pukës

Avokati i Popullit ka dërguar për ndjekje penale oficerët dhe shefin e komisariatit policor të Pukës. Padia ka lidhje me vrasjen e vëllezërve Markaj në Pukë ku sipas Avokatit të Popullit Igli Totozani ishte një tragjedi e paralajmëruar dhe nga ana e policisë nuk janë marrë masa.
Sipas Avokatit të Popullit detajet e hetimeve nxjerrin fakte tronditëse mbi rolin e policisë në ngjarjen e Pukës. Ndërkohë pritet një konferencë për shtyp e Avokatit të Popullit Igli Totozani për të dhënë në shumë detaje.
Ngjarja e rëndë është shënuar në datën 29 qershor në Pukë ku si pasojë e një konflikti për pronën u vranë vëllezërit Hil dhe Paulin Markaj. Dy vëllezërit u ekzekutuan me armë zjarri, ndërsa dy persona të tjerë, të së njëjtës familje, u plagosën rëndë në fshatin Mardhnac të komunës Qelëz. Shkak për këtë ngjarje të rëndë ka qenë një konflikt i hershëm mes dy fiseve, Markaj dhe Përmarkaj, lidhur me një vijë uji vaditëse në tokat e tyre.