FDE nisi sot fushatën “Lartësimi dhe vlerësimi i trurit shqiptar”

Forumi për Demokraci dhe Etikë shpalli sot, me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, fushatën sensibilizuese "Lartësimi dhe vlerësimi i trurit shqiptar"( Brain Stand) nëpërmjet debateve, takimeve me zyrtarë, politikanë dhe vendimmarrës të institucioneve arsimore, drejtues të Akademisë së Shkencave, pedagogë, intelektualë dhe studentë, me qëllim për të përjetësuar politika, vendime dhe strategji të qëndrueshme dhe afatgjata, të cilat i japin vlerë, nder dhe barazi universiteteve shqiptare. Drejtori Ekzekutiv i FDE, Arjan Galdini, tha sot gjatë një konference për shtyp në Hotel Tirana International, se "FDE i uron këtë ditë të gjithë mësuesve dhe pedagogëve shqiptarë, me ngasje dëshirën dhe aksionin tonë të përhershëm dhe kontributin për të qenë aktorë dhe autorë këmbëngulës të ndryshimit për vlerësimin gjithnjë e më shumë të trurit shqiptar. Ne e shpallim sot këtë nisëm për një fushatë sensibilizuese, e cila do të mbyllet më 28 Mars, ku ftojmë të gjithë akademikët, pedagogët dhe specialistët në fushën e arsimit të bëhen pjesë e Marshimit të Shpresës", tha Galdini, duke sqaruar se ky "Marshim është një akt qytetar, i cili do ta ketë pikënisjen në Sheshin "Skënderbej", Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" , Sheshin "Nënë Tereza" , për të dhënë mesazhin e madh të shpresës dhe të ndryshimit, vetëm nëse në Shqipëri do të krijohen kushtet dhe merren vendimet e duhura, të cilat do t’i japin nder dhe dinjitet universiteteve shqiptare".
...