E Diel, 1 Nëntor 2026

Barazia reale gjinore ndikon në shëndetin dhe mirëqenien e gruas

Dallimet dhe pabarazitë gjinore janë faktorë që ndikojnë në shëndetin dhe mirëqenien fizike, psiqike e sociale të çdo individi, vlerëson Ministria e Shëndetësisë, e cila e konsideron Strategjinë Kombëtare për Barazi Gjinore pjesë integrale të politikave të sistemit shëndetësor, që do të ndihmojë në uljen e vdekshmërisë dhe të sëmundshmërisë së gruas. Sipas ministrisë, këto shkaqe në kontekstin e kujdesit shëndetësor, bëjnë që gratë dhe burrat të jenë të ekspozuar në mënyra të ndryshme ndaj faktorëve të rrezikshëm që ndikojnë mbi shëndetin. Ndryshimet gjinore mund të ndikojnë në vdekshmërinë dhe sëmundshmërinë në periudha të ndryshme të jetës tek gratë dhe vajzat. Synimi i pjesës së shëndetësisë, të përfshirë në Strategjinë për Barazi Gjinore, është përmirësimi i shëndetit të gruas përmes rritjes së përgjegjshmërisë dhe angazhimit të sistemit shëndetësor ndaj barazisë gjinore. "Arritja e objektivave shëndetësore të Strategjisë për Barazi Gjinore, kërkon një përfshirje të të gjithë partnerëve dhe të të gjithë sektorëve të ndryshëm publikë, organizatave jofitimprurëse, donatorëve të vendit dhe të huaj si dhe të gjithë shoqërisë shqiptare", vlerëson Ministria e Shëndetësisë. Disa nga objektivat kryesore të kësaj ministrie, të përcaktuara në këtë strategji, janë: përfshirja në politikat, programet shëndetësore e dallimeve gjinore dhe nevojave shëndetësore të grave të lidhura me veçoritë e tyre gjinore; rritja e njohurive të personelit të kujdesit shëndetësor për ndikimin e barazive gjinore në shëndetin dhe nevojat shëndetësore të grave; ofrimi i shërbimeve cilësore dhe efektive për shëndetin e gruas në periudha të rëndësishme të ciklit të saj të jetës, promovimi dhe edukimi shëndetësor për një shëndet të mirë të gruas, familjes dhe komunitetit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›