E Shtunë, 31 Tetor 2026

FEVZIU OSE NJE FORMAT I DESHTUAR

Debati elektoral mediatik sot në Shqipëri është në rrezik. Emisioni "Opinion" është kthyer, qysh nga fillimi i kësaj fushate, në një format banal, nervangritës deri në kufijtë e së padurueshmes. Fillimisht duhet të them se arsyeja pse dua të flas për këtë emision dhe formatin e tij elektoral është e thjeshtë: ky emision është sot nga më të rëndësishmit emisione politike në vend, e si rrjedhojë, ka një vlerë dhe vend të rëndësishëm në opinionin shoqëror. Shndërrimi i tij sot në një model të pakulturuar, kur paradoksalisht drejtohet nga një gazetar që shquhet për kulturë personale, është me pasoja për median shqiptare dhe shoqërinë në tërësi. Pasojat në fakt ndjehen qysh sot, ku njerëzit janë më të stresuar nga debati që përcillet përmes këtij emisioni, sesa nga vetë fushata.

Që drejtuesi i "Opinion", Blendi Fevziu, është pozicionuar me Partinë Demokratike, është një lajm i mirë dhe shumë kurajoz, sepse në fund të fundit është shumë më e ndershme se të bësh të paanshmin hipokrit, në një kohë kur në gjithë botën e zhvilluar, mediat në prag fushatash kanë një pozicionim të hapur. I cili ndryshon ose jo me të mbaruar zgjedhjet, po gjithsesi ky nuk është sakrilegj. Shkurt nuk po gjykoj bërjen palë të Fevziut me njërin krah politik, këtë madje e përshëndes. Ajo që të lë pa gojë është mënyra si po ushtron profesionin një gazetar i nderuar si ai, gjatë kësaj fushate të nxehtë, ku emisioni që ai drejton ka një peshë që e përmendëm qysh në fillim.

Cili është formati? Nga njëra anë e studios janë opozitarët dhe nga ana tjetër pushtetarët. Në pamje të parë kjo do ishte një mrekulli dhe debati në fund të fundit mes tyre duhej të zhvillohej. Por ç‘po ndodh? Pushtetarët, që kanë mbetur akoma me mentalitetin e fushatës së vitit 2005, nuk po kuptojnë dot që përballë nuk kanë më Fatos Nanon e buzukëve, kazinove dhe çdo zullumi tjetër, që ua bëri kaq të lehtë fushatën dhe propagandën në zgjedhjet e kaluara. Gjenerata e PD-së vjen përballë ekranit sot, me të njëjtat shpifje dhe akuza të thurura nëpër mejhane, pse jo edhe dhjetë minuta para emisionit. Ndërsa opozita ka zgjedhur të bëjë një debat ndryshe, ashtu sikur bëri një opozitë ndryshe. Ajo ka vendosur të flasë me fotot e Shqipërisë reale, ndërsa mazhoranca me shifra fantazmagorike që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Në një nga opinionet e radhës, Bogdani i PD-së fliste për moshën e internetit nëpër shkollat shqiptare, e vetmja gjë që të mbetej në mendje ishin fotot që Fidel Ylli i PS-së solli në studio nga shkollat e Skraparit me mure të rëna dhe pa banjo. Por pikërisht, kur përballë mazhorancës vihen problemet reale të Shqipërisë, aty kapërcen debati dhe del jashtë linjave, aty fillojnë akuzat banale të llojit të 2005-ës. Akuza që publiku aso kohe i besoi, jo se besoi Berishën, por sepse e shikonte me sytë e tij qeverisjen e Nanos dhe papërgjegjshmërinë e tij. Ashtu sikurse ky publik dëgjoi Berishën menjëherë pas zgjedhjeve të shprehej se akuzat për Nanon, që nga vrasës deri hajdut, ishin thjesht për fushatë. Dhe Nano u bë befas aq burrë i mirë për Berishën, sa vlente dhe për president. Është po ky publik që nuk u besoi në vitin 2006 as akuzave, as shpifjeve ordinere kundër Edi Ramës, dhe mendoj që do jetë në gjendje edhe kësaj radhe të zgjedhë çfarë të besojë.

Por një gjë është e sigurt; opozita ka vendosur të sjellë një model të ri debati, i cili sot për sot shihet i pamundur në studion e Fevziut. Janë të rralla rastet kur disa figura arrijnë të artikulojnë diçka serioze përmes kakofonisë ordinere që shkakton mazhoranca. Shkurt, ky është një format i çekuilibruar dhe totalisht i dështuar, ku nuk ka fitues dhe humbës. Mbase PD-istëve mund t‘u duket vetja të fituar, sepse shpifin dhe bërtasin më shumë.

Por a mund të quhet i fituar, për shembull, Olldashi përballë Ermelinda Meksit në debatin e fundit? Nga njëra anë kemi një profesoreshë të nderuar ekonomie dhe statistikash, që thirret deri në Stanford për të dhënë leksione, dhe nga ana tjetër kemi një personazh që, pikërisht pse shpifi ndaj Edi Ramës në zgjedhjet lokale, edhe humbi. Në të njëjtën formë edhe kësaj radhe, në vend të debatonte me Meksin profesionalisht, ai banalisht i përmendi burrin dhe shprehjen standarde me pallate brenda, kur dihet botërisht sa "squeky clean" dhe e kulluar është zonja Meksi. Rastet në fakt janë të përditshme dhe të përminutshme dhe duket sheshit që opozita është në vështirësi përballë kësaj logjike, por ka vendosur ta çojë deri në fund modelin dhe kulturën e re të debatit.

Sido që të shkojnë punët, Edi Rama dhe socialistët janë sot të fituar, për futjen e kësaj kulture tërësisht të munguar në politikën shqiptare gjatë 18 viteve, kulturë që në fakt as përkrahet, as lejohet nga vetë drejtuesi i emisionit "Opinion".

Formatit i Fevziut sot është një duel i pabarabartë, qoftë dhe nga pikëpamja intelektuale. Niveli i përfaqësuesve të mazhorancës është në përputhje të plotë me taktikën e tyre ordinere. Ata nuk ngrihen dot as në nivelin mesatar të intelektualëve dhe kur nuk përfaqësojnë dot as veten në një shfaqje televizive, mendojeni sa mund të përfaqësojnë njerëzit nesër. Një mendje ta thotë e ta do që socialistët më mirë t‘i bojkotonin këto debate. Por në fushatë askujt nuk ia mban xhepi të refuzojë ftesa apo debate televizive dhe arsyeja është fare e thjeshtë; për vetë rolin që ka media sot në informimin publik. Dhe kur opozita sot nuk dëshiron t‘i përgjigjet mazhorancës me të njëjtën monedhë të gjuhës vulgare dhe shpifjeve, logjikisht duhet t‘i vinte në ndihmë debatit, rregullatori i emisionit, në rastin konkret vetë Fevziu. Jo për të ndihmuar opozitën, se pozicionin e tij e përmendëm që në fillim, por për të ndihmuar veten, profesionin dhe ata për të cilët ai ka mbi 12 vjet që është në ekran, shikuesit.

Ma do mendja që as ai vetë nuk e quan sukses një debat të padëgjueshëm dhe të tilla, në fakt, janë pothuaj të gjitha emisionet e tij, me përjashtim të atyre ku politikanët vihen përballë gazetarëve. Dhe këtu duhet të ishte nxjerrë një mësim i mirë se si duhet ta zhvillonte debatin ai dhe të tjerë si ai. Më mirë me politikanë apo deputetë të zonave përkatëse, përballë gazetarëve, sesa përballë njëri-tjetrit. Sepse jemi në një kohë dhe vend ku njëra palë përpiqet të sjellë ndryshimin, edhe në të menduar, folur e debatuar, dhe tjetra vazhdon të njëjtën metodë të vjetër shpifjesh dhe banalitetesh. Për këtë të fundit, "faleminderit" Berishës dhe tani "faleminderit" dhe Fevziut. Sepse nuk është se Fevziut i ka rrëshqitur nga duart "Opinioni".

Atij duket se i intereson kjo mënyrë debati dhe këtë e aprovon dhe inkurajon me heshtjen e tij në të shumtën e kohës ose thjesht me bërjen e "dispeçerit" që kujdeset vetëm për minutazhin. Çdo debat dhe rast për debat në studion e tij e justifikon këtë argument. Por do të veçoja një nga të shumtët, që më ka lënë pa gojë: kur një përfaqësues i PD-së i fliste asaj të PS-së me këtë gjuhë: "Do të fyej moj, do të fyej që ç‘ke me atë punë". Heshtje nga zonja e shtangur. Po heshtje më e madhe nga vetë Fevziu. Unë Blendin e njoh për xhentëlmen të vërtetë, nga të parët dhe të rrallët xhentëlmenë të Tiranës. Dhe ta shohësh të katandiset në këtë derexhe, të humbë nga kultura dhe personaliteti i tij, vetëm për shkak të pozicionimit të tij politik, është e dhimbshme. Po akoma më e dhimbshme është modeli i debatit elektoral që po mbjell sot, model që nuk gjendet në asnjë televizion të botës, ose të paktën të SHBA-së.

Ka kudo gazetarë të nderuar, që janë të njohur për bindjet e tyre majtas apo djathtas, por kurrë nuk është parë e dëgjuar t‘i kthejnë ekranet e tyre në paçavure të tilla. Talenti duket kur pozicionimin tënd e shpreh me profesionalizëm, përndryshe s‘ke asnjë dallim nga ai militanti ekstremist, që as dëgjon, as shikon, po vetëm artikulon atë që i thotë zjarrmia patetike. Po kështu, profesionalizmi nuk matet me numrin e atyre që fton në studio, por me atë që pyet kur të vijnë në studio. Unë nuk mendoj se Fevziut i mungon talenti për ta shprehur pozicionimin e tij, as për ta kontrolluar atë studio që e ka drejtuar prej dekadash tashmë. Por nuk gjej arsyet pse ka vendosur të luajë në këtë mënyrë në këto zgjedhje. Sepse është e qartë tashmë dhe nuk na duhet të presim humbjen e PD-së, për të kuptuar që Fevziu ka humbur. Edhe sikur PD-ja të fitojë, sërish modeli i debatit politik që krijoi ky gazetar gjatë kësaj fushate, jo vetëm është i dështuar, por duhet luftuar dhe mënjanuar një sahat e më parë nga ekranet shqiptare. Dhe ky është shqetësimi sot: kopjimi dhe ngulitja e këtij modeli nga media të tjera, si i vetmi i debatit elektoral shqiptar.

Në fakt, nuk është i vetmi, nuk është i miri, përkundrazi është i gabuari. Është dhe krejt i pajustifikuar, sepse sot nuk mund të thuash, që këta politikanë kemi, ndaj kemi këtë debat. Fatmirësisht, ka dhe emisione të tjera politike dhe po të krahasojmë "Opinion" me "Shqip" dhe "Top Story", pamjet janë si dy anët e një medaljeje. Është gati qesharake kur sheh që të njëjtët debatues që në "Top Channel", të ndikuar edhe nga fryma e kultura e këtij televizioni, mundohen të sillen me edukatë, por sapo kalojnë pragun e "Opinion" shpërthejnë në mënyrë histerike dhe s‘kanë asgjë të përbashkët as me veten e tyre të një dite më parë, në "Shqip" a "Top Story". Ky është ballafaqimi më flagrant që tregon se janë drejtuesit e emisioneve ata që menaxhojnë debatin dhe e ngrenë apo ulin nivelin e tyre.

Për politikanët e opozitës duket sheshit që "Opinion" është sot një barrë për t‘u hequr. Por përtej kësaj, për të gjithë ata gazetarë që aspirojnë televizionin, duhet të bëhet një shembull për të mos u ndjekur.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›