E Shtunë, 31 Tetor 2026

FFK ndien keqardhje

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ndien keqardhje për faktin që thuajse të gjitha klubet kosovare që garojnë nën ombrellën e saj po përjetojnë krizë goxha të madhe financiare.

Madje, Komiteti Ekzekutiv i FFK’së, në dy mbledhjet e fundit të tij, ka diskutuar rreth krizës financiare që i ka prekur skuadrat e Superligës, por edhe ato të Ligës së Parë.

Ky organ i FFK’së ka konstatuar se kjo krizë në klubet kosovare ka reflektuar si pasojë e krizës ekonomike shtetërore dhe mospranimit të shtëpisë së futbollit kosovar në FIFA dhe UEFA.

Mirëpo, sipas sekretarit të FFK’së, Eroll Salihu, edhe mosrregullimi i infrastrukturës ligjore për sport nga institucionet më të larta shtetërore ka ndikuar edhe më tej negativisht në reflektimin e krizës financiare në futbollin kosovar.

“Sigurisht se ndiejmë keqardhje të madhe. Komiteti Ekzekutiv rreth kësaj çështjeje ka diskutuar në dy mbledhjet e fundit dhe sigurisht se do të diskutojë edhe në mbledhjen e radhës. Ne e kemi analizuar gjendjen dhe kjo vjen si pasojë e fuqisë ekonomike të përgjithshme në vend, por edhe për shkak të mospranimit të FFK’së në FIFA dhe UEFA. Mirëpo, edhe mosrregullimi i Ligjit për sponsorim dhe disa çështjeve tjera ligjore ka ndikuar në paraqitjen e kësaj dukurie”, deklaroi Salihu për Express.

Salihu thotë se FFK’ja po mundohet ta japë maksimumin nga vetja, për t’u dalë në ndihmë klubeve kosovare në këtë kohë.

“FFK’ja po jep gjithçka që mundet vetëm për t’u dalë në ndihmë klubeve. Në Federatën maqedonase punojnë mbi 40 punëtorë, kurse në Federatën tonë janë 6-7 persona. Edhe në këtë mënyrë po mundohemi të kursejmë dhe kështu po ua heqim kuotizimet klubeve, po i paguajmë vetë gjyqtarët, etj”, shtoi Salihu.

Ai tha se edhe klubet duhet të ndërmarrin masa për të mbijetuar, derisa kritikoi komunat e Kosovës që realisht po e mbajnë peng zhvillimin e klubeve të tyre. “Drejtoritë e komunave nuk po kuptojnë se nuk është më koha e komunizmit, që stadiumet të mos u jepen njerëzve në shfrytëzim nga frika se ata njerëz mos po fitojnë. Në fund të fundit klubet janë të qyteteve përkatëse. Në anën tjetër, ka kryetarë të klubeve që marrin klubin nën udhëheqje dhe nuk investojnë as 100 mijë euro në të”, pohoi ai.

“Klubet duhet të gjejnë mënyra për të mbijetuar. Le t’ua hapin dyert atyre që janë të interesuar për të investuar në klube”, vazhdoi Salihu.

Ai paralajmëroi se FFK’ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Sportit, do të vazhdojë ta shtojë presionin mbi komunat e Kosovës për zgjidhjen e statusit të stadiumeve.

“Ne edhe më parë kemi vizituar komunat e Kosovës dhe temë diskutimi ka qenë pikërisht kjo çështje. Ne do të bisedojmë edhe me ministrin Lutfi Haziri, i cili me fuqinë e tij politike mund ta shtyjë këtë proces përpara, por edhe procesin e rregullimit të infrastrukturës ligjore”, përfundoi Salihu.

Më 14 gusht nis kampionati i ri i Kosovës në futboll, i cili po i gjen thuajse të gjitha klubet e Superligës duke u ballafaquar me krizë financiare. Disa klube tashmë kanë vendosur t’i ulin dukshëm pagat te futbollistët dhe trajnerët, me ç’rast këta të fundit janë zemëruar shumë. Shumë futbollistë akoma nuk e dinë të ardhmen e tyre, pasi nuk e shohin të arsyeshme të nënshkruajnë kontrata me klubet me paga të vogla.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›