E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa, me ofertë të re

Besa e Pejës, e cila po përballet me krizë financiare, të mërkurën u ka bërë ofertë të re futbollistëve dhe anëtarëve të shtabit teknik të saj për t’i vazhduar kontratat, të paktën edhe për një vit.

Oferta e re e Besës është më e ulët, por edhe ndryshe, në dallim prej viteve të kaluara. Përndryshe, futbollistët dhe anëtarët e shtabit teknik, nëse vendosin të mbesin në klubin pejan, atëherë ata do të paguhen rreth 20 për qind më pak sesa në kampionatin e kaluar.

“Mbajtëm mbledhje me futbollistë, të cilëve iu kumtua vendimi i kryesisë së klubit, që nënkupton se futbollistët dhe anëtarët e shtabit teknik do të paguhen me një formë tjetër prej asaj të kampionatit të kaluar”, tha për Express, nënkryetari i Besës, Bakir Burri.

“Ne i njoftuam lojtarët se klubi aktualisht nuk qëndron mirë financiarisht, por kjo situatë do të përmirësohet dukshëm nga 1 janari. Kështu që, deri atëherë klubi nuk ka mundësi që lojtarëve t’ua paguaj kontratat për një vit e më shumë. Mirëpo, ata do të paguhen rregullisht çdo muaj. Madje, kemi vendosur që t’i risim premitë për ta, por edhe do t’u paguhen stërvitjet në pushim të kampionatit. Kjo do të thotë se lojtarët do të paguhen rreth 20 për qind më pak sesa në kampionatin e kaluar”, theksoi Burri.

Ai bëri të ditur se oferta e njëjtë vlen edhe për kryetrajnerin Genc Hoxha, për të cilin Burri shpreson se do të pranojë të mbetet edhe më tej në Pejë. Sipas Burrit, lojtarëve u është dhënë afat deri të enjten (sot) për të vendosur se a e pranojnë apo jo ofertën e re. “Unë shpresoj që klubi të has në mirëkuptim tek ata, sepse kjo është mundësia e vetme aktuale, por që shpejt situata me financa në klub do të përmirësohet”, pohoi Burri.

Mësohet se futbollistët pejan janë goxha shumë në dyshim për të qëndruar apo jo në Besë pas kësaj oferte të re. Sipas burimeve të Express-it, lojtarët janë të zhgënjyer me faktin se klubi nuk do të mund t’ua japë të hollat në dorë për tërë vitin, ashtu siç i kishin marrë në të kaluarën. Megjithatë, të enjten do të kuptohet se a do të mbesin ata akoma në klubin pejan apo jo.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›