E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështje seksi

Rrugëve të kryeqytetit tonë sheh përditë fëmijë-prindër dhe fëmijë-shtatzënë që së bashku me prindërit dhe pjellat e tyre lypin semafor më semafor. Në fshatrat e vendit tonë, fëmijët vdesin ende për bukë apo për mungesë të shërbimit shëndetësor. Në fshatrat e vendit tonë, vajzat martohen që 13-14 vjeçe, me burrat që u zgjedhin prindërit. Shumë prej tyre shkojnë në vetëvrasje, si e vetmja zgjidhje për t‘u shpëtuar vuajtjeve. Në fshatra e qytete të vendit tonë, vajzave nuk u lejohet të arsimohen përtej klasës së nëntë prej prindërve idiotë, apo prej prindërve të varfër që nuk kanë mundësi të shpenzojnë më shumë se kaq për dije. Në qytetet e fshatrat tonë, mijëra njerëz nuk kanë guximin të kapërcejnë pragun e shtëpisë nga frika e plumbit të gjakësit.

Shkurt, në vendin tonë nuk e kemi ende të garantuar të drejtën e jetës, të drejtën e shkollimit, të drejtën e strehimit, të drejtën e punësimit...

Por, në shtetin tonë, ka një ligj që na mbron nga thithja e tymit të duhanit të të tjerëve në ambientet publike. Shteti ynë kujdeset shumë për të drejtat e shtetasve dhe Kryeministri ynë ka marrë përsipër të çojë e të mbrojë në Parlament një ligj që u lejon dy burrave apo dy grave të vënë kurorë, të ngrenë folezat e tyre të deformuara, që ligjërisht do të quhen familje - qeliza të shoqërisë.

Në këtë mënyrë, vendi ynë do të mund të quhet më demokratiku në rajonin e Ballkanit. Do të jemi vendi i parë me shumicë (hipotetike) myslimane që do të hapë zemrat për homoseksualët. Flitet që homoseksualë nga e gjithë Europa apo më larg, do të vijnë në Shqipëri për të vënë kurorë, sepse shumë vende me kulturë demokratike të kontinentit plak nuk kanë avancuar aq shumë sa ne në garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Kur u miratua ligji për ndalimin e duhanit në ambientet publike, dy funksionarë të Ministrisë së Shëndetësisë u nderuan me çmime nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Sigurisht që nëse edhe ligji për martesat mes homoseksualëve do të miratohet, do të ketë çmime të tjera nga organizma edhe më të rëndësishëm. Raportet e ndërkombëtarëve, që ende na monitorojnë rreptë, do të kenë një paragraf pozitiv më shumë kur të pasqyrojnë ecurinë e reformave demokratizuese. Gazetat e televizionet do të merren edhe ca kohë me një temë interesante, të parrahur më parë.

Por, asgjë më shumë se kaq nuk ka për të sjellë ky ligj (nëse arrin të marrë votat në Parlamentin e ri, të përbërë nga më shumë njerëz të rinj e mendjehapur). Homoseksualët e Shqipërisë nuk do të kenë përsëri guxim t‘i tregojnë hapur prirjet e tyre seksuale, sepse do të jetojnë ende në të njëjtën shoqëri ku jetojnë sot. Madje më keq akoma, ata që kërkojnë të largohen me çdo kusht nga ky vend demokratik, nuk do të mund të shtiren më si homoseksualë në Perëndim për të përfituar lejet e qëndrimit.

Dhe në fshatra fëmijët do të vuajnë po njësoj për bukë e për ilaçe. Vajzat do të martohen njësoj, të mitura, dhe do të detyrohen njëlloj ta braktisin shkollën. Në rrugët e kryeqytetit tonë do të jenë sërish ata lypës, të ndjekur nga afër prej disa transvestitë-prostituta, që duken të pashqetësuar në zgjedhjen e tyre.

Gjithçka do të jetë njësoj, përveç faktit që Shqipëria do të ketë pasur njëherë edhe një debat për çështje seksi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›