E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

FIA, masa të rrepta për sigurinë e pilotëve

Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA), pritet të vërë në zbatim një program më të rreptë për sigurinë e pilotëve, sidomos për atë që njihet si “roll hop”. Bëhet fjalë pjesën që ndodhet pas sediljes së makinave të Formulës 1, mbi kokën e pilotit, e cila është vendimtare në rast të përmbysjes së makinës, pasi është e para që bën kontakt me asfaltin.

Organizmi që qeveris automobilizmin botëror ka premtuar një rishikim të testeve që bëhen për këtë qëllim, sidomos pas aksidentit të Zhu Guanjusë në Çmimin e Madh të Britanisë së Madhe, ku pjesa e mbi kokën e tij u thye për shkak të përplasjes me asfaltin me një forcë që nuk ishte hasur më parë. Për këtë arsye, “Alfa Romeo” po punon që nga ajo kohë ngushtë me FIA-n, ndërsa skuadrat e tjera janë konsultuar për të marrë edhe reagimin e tyre dhe për të rishikuar rregulloret përkatëse.

Në fakt, vetëm “Alfa Romeo” ka mbetur skuadra që përdor një model të veçantë të kësaj pjese të makinës dhe vetëm makinat e saj e kanë patur këtë problem. Megjithatë, sikundër e pranoi edhe drejtori teknik i skuadrës së “MekLaren”-it, Xhejms Ki, forca që u vërejt në aksidentin e Zhusë nuk ishte hasur më parë në aksidentet të ngjashme.

“Ai ishte një episod mjaft i frikshëm, duke patur parasysh rrethanat, dhe diçka e tillë gjithmonë do të çojë në përfundime të reja nga këndvështrimi i sigurisë dhe kjo është ajo që FIA dhe skuadrat po diskutojnë në vijim për vitin e ardhshëm”, – ka deklaruar ai, ndërsa ka pohuar mundësinë që të ketë teste shtesë për këtë qëllim, por edhe kosto shtesë për skuadrat që duhet të modifikojnë edhe shasitë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›