E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA kërcënon Dinamon për Ivanisheviç

FIFA kërcënon Dinamon me masa disiplinore. Sipas një faksi të mbërritur nga “qeveria” e futbollit botëror në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit, klubi kryeqytetas është i detyruar t’i paguajë ish-lojtarit, Branimir Ivanisheviç, 4 mijë euro dëmshpërblim për prishjen e kontratës.

Mesfushori, i cili është aktivizuar me blutë në sezonin 2005/’06, ishte ankuar te Komisioni i Disiplinës në Zyrih, se drejtuesit e skuadrës shqiptare nuk kishin respektuar kontratën.

Pasi është shqyrtuar çështja e 28-vjeçarit, u vendos se kampionët në fuqi të Shqipërisë nuk kishin respektuar akordin dhe duhet të dëmshpërblejnë Ivanisheviçin. Sipas faksit, shifra duhet t’i jepet futbollistit nga Malit të Zi brenda kësaj jave, në të kundërt Dinamos do t’i hiqen tri pikë nga klasifikimi i këtij sezoni.

Dëmshpërblimet

Sipas të gjitha gjasave, blutë do të shlyejnë detyrimin e tyre dhe shuma prej 4 mijë eurosh shihet si një shpenzim “ekstra” në këtë merkato dimri.

Kjo për faktin e thjeshtë se skuadrës nuk i intereson t’i zbriten tri pikë në klasifikimin e Kategorisë Superiore, tani që janë rifutur në garën për titull. Në takimin e fundit për vitin 2008, ata fituan 1-0 në fushën e Vllaznisë dhe ndodhen vetëm 5 pikë larg shkodranëve kryesues dhe 1 pikë nga Tirana e vendit të dytë.

Për më tepër, që historia e dëmshpërblimeve flet gjithmonë në disfavor të skuadrave shqiptare, kur bëhet fjalë për ankimime të futbollistëve të huaj. Rasti më i famshëm në vendin tonë është ai i holandezit, Jan Venhof. Mbrojtësi mbërriti te Tirana në fillim të sezonit 2002/’03 dhe luajti për disa muaj me bardheblutë.

Ai u largua nga skuadra, duke akuzuar klubin dhe më saktësisht ish-presidentin El Sajed, se nuk u pagua për periudhën e fundit të aktivizimit. Venhof bëri ankesë te FIFA dhe pasi u shqyrtua dokumentacioni i holandezit, Disiplinori vendosi që 23-herë kampionët t’i paguanin lojtarit 26 mijë euro dëmshpërblim për mosrespektim të kontratës mes palëve.

Stërvitja

Të enjten, Dinamo zhvilloi seancën e parë stërvitore për vitin 2009, por ndryshe nga sa pritej, aty nuk ishte i pranishëm trajneri Zlatko Daliç.

Stafi i bluve shpjegoi se kjo ndodhi sepse Kombëtarja U-21 e Kroacisë luan sot një miqësore me Maqedoninë. Fakti i çuditshëm është se, vetëm pak kohë më parë, tekniku dinamovit kishte deklaruar se nuk do të vazhdonte më punën me përfaqësuesen e moshave të vendit të tij.

Në stërvitje nuk u paraqit as argjentinasi Ruben Ceco. Lojtari nga Amerika Jugore është bllokuar në kryeqytetin italian, Romë, për shkak të një greve të kompanisë “Alitalia”. Ai pritet të mbërrijë sot për t’iu bashkuar grupit. Pjesë e kontingjentit ishte blerja më e bujshme e Dinamos në këtë merkato dimri, fantazisti i Kombëtares, Elis Bakaj, i cili u afrua nga Partizani për 100 mijë euro. Ndërkohë, u konfirmua se Haliloviç dhe Petriceviç janë përfundimisht jashtë skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit.
 



AC_FL_RunContent( 'codebase','http://download.macromedia.com/pub/shockwave/cabs/flash/swflash.cab#version=9,0,28,0','width','580','height','99','src','flash/banner','quality','high','pluginspage','http://www.adobe.com/shockwave/download/download.cgi?P1_Prod_Version=ShockwaveFlash','movie','flash/banner' ); //end AC code

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›